E Hënë, 2 Nëntor 2026

Njohja e viteve të punës para ’93, ekspertja: Dokumentet janë të thjeshta, aplikim vetëm në e-albania

Ligji për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, ato bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni, është tashme ne fuqi. Sipas ekspertes Irena Xani, dokumentet janë të thjeshta, aplikimi bëhet në e-albania dhe duhet vetëm certifikata familjare e periudhës përkatëse që provon vendbanimin e personit në ato vite.

“Është një ligj që ka zgjidhur shumë probleme. Aplikimi bëhet shumë thjeshtë, në kërkesën që do të paraqitet në e-albania, trajtohet me ligjin 07/2025”, tha Xani.

Ligji u vjen në ndihmë qytetarëve të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë vitesh sigurimi, ose atyre që kanë pasur periudha të punës që nuk janë njohur më parë nga ISSH, apo zvarriten prej vitesh në çështje gjyqësorë.

“Njerëzit që bredhin nëpër gjykata për të bërë të mundur njohjen e viteve, apo mbylljen e raportit të punës, me këtë ligj kanë një zgjidhje. Përfitojnë ata persona që kanë bërë kërkesën dhe i është refuzuar për këtë arsye, mund të përfitojnë edhe ata persona që e kanë mbushur moshën, duke përfshirë edhe atë periudhë që mendojnë se kanë”, theksoi Xani.

Gjithashtu, nga ky ligj përfitojnë edhe shqiptarët që janë jashtë vendit, e që për vite me radhë kanë patur problematika për njohjen e viteve të punës se kësaj periudhe.

Çdo kërkesë për njohje të viteve të punës për efekt pensioni do të shqyrtohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sipas procedurave standarde të përfitimit të pensionit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›