Rritet në 718 numri i të vdekurve nga përleshjet në Sirinë jugore

Përleshjet në Sirinë jugore kanë marrë jetën e 718 personave që nga e diela, sipas një llogaritjeje të re të publikuar sot nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Siç sqaroi kjo organizatë joqeveritare, midis të vdekurve janë 391 druzë, nga të cilët 146 ishin luftëtarë dhe 245 ishin civilë, përfshirë 165 “të cilët u ekzekutuan menjëherë nga anëtarët (e forcave) nën Ministritë e Mbrojtjes dhe të Brendshme” në ditët e para të përleshjeve.
Nga ana tjetër janë gjithashtu 287 anëtarë të forcave qeveritare siriane dhe 21 luftëtarë beduinë sunitë, përveç tre civilëve që u “ekzekutuan menjëherë nga luftëtarët druzë”, sipas organizatës joqeveritare, e cila ka selinë në Britani, por ka një rrjet të gjerë burimesh në Siri.
Për më tepër, 15 anëtarë të forcave qeveritare u vranë në sulmet izraelite, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Qeveria siriane dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të të premten, por përleshjet midis grupeve të armatosura të fiseve lokale dhe druzëve vazhdojnë në hyrje të qytetit të Sweidës, në Sirinë jugore, ku dhuna ka zhvendosur mijëra njerëz për gati një javë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti i përkohshëm sirian Ahmed al-Sarrah “kanë rënë dakord për një armëpushim”, njoftoi Tom Barak, ambasadori i SHBA-së në Turqi dhe i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, dy ditë pas bombardimeve izraelite në Damask.
Presidenca siriane konfirmoi gjithashtu dje se po punon për dërgimin e një “force speciale” në rajonin Sweida, në të cilin shumica e banorëve janë Druzë, nga i cili kishte tërhequr ushtarët e saj një ditë më parë nën presionin izraelit.
/rtsh.al/