E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja në gazetë

Njohja nga Gaboni vazhdon të mos konfirmohet zyrtarisht. Zyra e Pacollit të premten ka njoftuar se një gazetë e këtij shteti ka shkruar për njohjen e Kosovës. Si arsyetim për mungesën e notës verbale përmendet vizita e Ministrit të Jashtëm të këtij shteti në New York. Nga Express më 17 shtator 2011 në ora 12:45

Behgjet Pacolli kishte njoftuar javën e kaluar për njohjen e pavarësisë nga shteti i Gabonit.

Por kjo njohje nuk numërohet ende zyrtarisht nga Kosova. Ministria e Jashtme e Kosovës nuk e ka regjistruar atë si njohjen më të re, pasi ende nuk ka një notë verbale që e dëshmon këtë.

Zyra e Pacollit ka njoftuar se për këtë njohje ka shkruar e përditshmja e Gabonit, “L’Union”, e cila thuhet se ka publikuar një njoftim të qeverisë më 9 shtator.

“Presidenti i Republikës, kryetari i shtetit, Shkëlqesia e tij, Ali Bongo Ondimba, duke konstatuar se mekanizmi që të çon në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare është përfundimtar ose i pakthyeshëm, i dha instruksione Qeverisë, me qëllim që të marrë të gjithë masat e nevojshme për njohjen e Kosovës nga vendi ynë, Gaboni.”

Ky njoftim nga Zyra e Pacollit është interpretuar si njohje e pavarësisë.
Derisa aty jepet edhe arsyeja se pse nuk ka notë verbale nga Gaboni.

“Arsyetimi zyrtar për mungesën e deritanishme të notës verbale të njohjes, qëndron në faktin se ministri i Punëve të Jashtme Gabonit gjendet në vizitë zyrtare në Nju-Jork, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së. Njohja nga Gaboni, zyrtarisht i është komunikuar Zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, javën e kaluar”, ka njoftuar Zyra e Pacollit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›