“Nobeli” dhe thirrja e Oslos drejtuar Evropës
Vetëm duke forcuar institucionet e “Bërthamës së Evropës”, ne do të arrijmë të zbusim kapitalizmin e egërsuar dhe të ndalojmë procesin e shkatërrimit të brendshëm të unionit.
Në periudhën e krizës më të madhe në historinë e tij, Bashkimi Evropian është vlerësuar me Çmimin “Nobel” për Paqe. Mes të tjerash, Komiteti i "Nobelit" përgëzon Bashkimin Evropian për ndihmesën e dhënë “në transformimin e Evropës nga një kontinent lufte në një kontinent paqeje”. Pa dyshim, do të ishte e vështirë të imagjinoje arsye të tjera për të dhënë një Çmim “Nobel” për Paqe. Mirëpo, janë rrethanat e krizës aktuale që hedhin dritë mbi domethënien e dhënies së këtij “Nobeli” për Bashkimin Evropian, apo më saktë pasojat që një vendim i tillë mund të ketë mbi gjendjen aktuale të unionit. Vendimin për t’i akorduar Çmimin “Nobel” për Paqe Bashkimit Evropian në një periudhë kur Unioni nuk ka qenë kurrë më i dobët, unë e interpretoj si një peticion drejtuar elitave politike të Evropës –të njëjtave elita që sikundër po e shohim të gjithë, po e drejtojnë veten drejtë krizës më ngurrimin e tyre dhe me mungesën e vizionit. Çmimi “Nobel” për Paqe ua bën të qartë qeverive që aktualisht po drejtojnë qeveritë e Eurozonës së duhet të dalin nga hija e tyre dhe të çojnë përpara projektin evropian. Është e shkruar në tekstin e apelit, e zeza mbi të bardhë, të paktën tri herë.
Komiteti i “Nobelit” e fillon duke vlerësuar pajtimin dhe vënien e paqes në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në tekst më pas përmenden përpjekjet për të ndërtuar dhe promovuar demokracinë dhe lirinë, sikundër edhe liberalizimet që Bashkimi Evropian nxiti në vitet 1980 për Greqinë, Spanjën dhe Portugalinë, bash sikur bëri edhe në vitet 1989-1990 me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat do t’i bashkoheshin më vonë BE-së – përpjekje që Evropa tashmë duhet t’i çojë para në Ballkan. Komiteti i “Nobelit” përshëndet guximin që Evropa pati për të kapërcyer armiqësitë historike dhe të arrinte sukses në misionin qytetërues që është zgjerimi i Bashkimit Evropian, i cili një ditë do të shtrihet edhe në Turqi. Por, kjo nuk është e gjitha. Duhet të prisni dhe të lexoni edhe arsyen e tretë të Komitetit për në zbuluar ironinë në tekstin e dhënies së “Nobelit” për Paqe Bashkimit Evropian. Komiteti i “Nobelit” i referohet krizës ekonomike që është pas “trazirave dhe tensioneve të konsiderueshme sociale” në shtetet e Eurozonës dhe që po e shtyn Evropën e rrënuar nga dobësia e lidershipit drejt pragut të shpërbërjes. Nëse e lexojmë mirë tekstin, shohim se ajo çka rrezikohet është arritja e tretë e madhe e këtij Unioni: modeli i tij social, bazuar në shtetin e mirëqenies. Për momentin, ne evropianët vazhdojmë të mbetemi në heshtje dhe qetësi në pragun e një Evrope me dy shpejtësi. Kjo është arsyeja pse unë gjithashtu e shoh vendimin për t’i akorduar BE-së Çmimin “Nobel” për Paqe si një thirrje për solidaritet mes qytetarëve, të cilët duhet ta thonë se ç’lloj Evrope dëshirojnë. Vetëm duke forcuar institucionet e “Bërthamës së Evropës”, ne do të arrijmë të zbusim kapitalizmin e egërsuar dhe të ndalojmë procesin e shkatërrimit të brendshëm të unionit.