Berisha: Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën
Kryeministri flet pas vizitës së tij në Kosovë, duke bërë thirrje për kanalizimin e energjive të bashkimit në vlera të mëdha, të cilat do t’i bashkojnë të gjitha njësitë e kombit, kur të bashkohemi në Bashkimin Evropian
Këshilli i Ministrave vendos kthimin në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog I. Ceremonia më 17 nëntor
Mbledhja e këshillit të Ministrave, e cila u zhvillua dje nën drejtimin e kryeministrit Berisha kishte në rend të ditës një seri vendimesh të rëndësishme lidhur financimin e veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Duke marrë shkas nga kjo tematikë, kryeministri Berisha shprehu falënderimet e tij dhe mirënjohjen njëkohësisht ndaj autoriteteve më të larta të Kosovës, Presidentes Ahtifete Jahjaga, kryeministrit Hashim Thaçi, Kryetarëve të komunave të Gjakovës dhe Deçanit dhe në mënyrë të veçantë ndaj qytetarëve të këtyre komunave, për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore, si dhe për kremtimet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në këto komuna.
“E shfrytëzoj këtë moment për të shprehur falënderimin tim më miqësor, me të sinqertë, autoriteteve më të larta të Kosovës, Presidentes së Republikës, kryeministrit, kryetarit të Komunës së Gjakovës Pal Lekaj, Kryetrait të Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të këtyre komunave për pritjen vëllazërore dhe aktivitetet që organizuan në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në këto komuna”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri tha se vendosja e shtatoreve të patriotëve shqiptarë Ali Ibrës dhe Isa Boletinit, përkatësisht në Gjakovë dhe Isniq, por edhe rikthimi i Hasan Prishtinës në Shkup është një simbolikë domethënëse në nderim të këtyre figurave të shquara të kombit shqiptar në përpjekjet për liri dhe dinjitet kombëtar.
Sipas tij, “ai ishte një udhëtim në historinë e gjatë dhe çka është e rëndësishme është fakt i pamohueshëm se udhëtimet e shqiptarëve në histori janë udhëtime drejt së ardhmes sepse plagët e krijuara nga padrejtësitë e mëdha dhe faktorët e tjerë i kanë mbajtur ata ndonëse një shpirt, një kulturë, një zemër i kanë mbajtur ata të ndarë nga njëri-tjetri dhe ky proces që ka nisur, ai i bashkimit kombëtar është një proces i pandalshëm, një ideal sublim i atyre qindra dhe mijëra shqiptarëve që kanë rënë, nga vitet 1878 deri në vitin 2001, në trevat shqiptare, për liri dhe dinjitet kombëtar. Ëndrra e tyre pret te realizohet ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen mirë dhe asgjëkundi të mos ndihen jetim dhe të shkëputur nga kombi, pasi kudo që ndodhen janë një vazhdimësi etnike, shumicë etnike dhe gjeografike. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që energjia bashkuese e kombit të sublimohet në vlera të mëdha, ndaj dhe motoja është të bashkohemi me njeri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën dhe unë shpresoj se me këtë moto shqiptarët kudo që ndodhen mund të ndërtojnë të ardhmen e shkëlqyer që meritojnë”, përfundoi Kryeministri.
Vendimet
Më tej, mbledhja e Këshillit të Ministrave vijoi me miratimin e një sërë vendimesh të rëndësishme, në kuadrin e aktiviteteve të 100 vjetorit të pavarësisë.
Një ndër këto vendime ishte kthimi në atdhe i eshtrave të personalitetit të shquar shqiptar, Mbretit Zog I.
Sipas këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Republikën Franceze, të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e Mbretit Zog I.
Ndërsa mësohet se ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog I, do të organizohet më 17. 11. 2012.
Një tjetër vendim i djeshëm, kishte të bënte me shtimin e fondit prej fondi prej 6 493 200 (gjashtë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind),
Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, për mbulimin e shpenzimeve të projektit kulturor “Baleti Preljocaj”, me rastin e 100 - Vjetorit të Pavarësisë.
Edhe një tjetër vendim kishte të bënte po me shtim fondi prej 5 070 646 (pesë milionë e shtatëdhjetë mijë e gjashtë qind e dyzet e gjashtë mijë) lekë, sërish Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, në zërin “Investime”, për Bashkinë Lushnjë, për financimin e bazamentit të monumentit kushtuar Kongresit të Lushnjës, që do të vendoset në këtë qytet.
Këshilli i Ministrave mori dje vendim edhe për sa i përket përcaktimit të kapitalit fillestar të shoqërisë së re, vlerën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, në shumën prej 7 112 117 000 (shtatë miliardë e njëqind e dymbëdhjetë milionë e njëqind e shtatëmbëdhjetë mijë) lekë. Sipas këtij vendimi, raporti i aksioneve në krijimin e shoqërisë anonime të re është: 25 për qind shteti, i përfaqësuar nga ministria përgjegjëse për sportin; dhe 75 për qind Federata Shqiptare e Futbollit.
Në kuadër të këtyre festimeve, Këshilli i Ministrave mori edhe një sërë vendimesh të tjera.