Nobelistja denoncon regjimin iranian, fëmijët e Mohammadit pranojnë Çmimin për Paqen në emër të saj

“Iranianët do ta mposhtin përfundimisht autoritarizmin e vendosur nga Qeveria, e cila ka humbur ligjshmërinë dhe mbështetjen e popullit” Kështu u shpreh nga burgu fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi. Binjakët e saj 17 vjeçarë Kiana dhe Ali Rahmani, morën çmimin, një medalje ari dhe një diplomë, gjatë ceremonisë në Oslo të Norvegjisë, ku morën pjesë disa qindra të ftuar.
Çmimi përfshin edhe një shumë prej rreth 1 milion dollarësh. Në fjalimin e saj, të cilin e dërgoi nga burgu famëkeq i Iranit, Evin, Mohamadi tha se rezistenca e vazhdueshme dhe mospërdorimi i dhunës janë strategjitë më të mira për të sjellë ndryshim. “Populli iranian, me këmbëngulje, do ta mposhtë autoritarizmin dhe shtypjen.
Mos kini dyshime, kjo është e sigurt”, shkroi ajo. Narges Mohamadi u arrestua në nëntor të vitit 2021 dhe është dënuar nga autoritetet iraniane me akuzat e përhapjes të propagandës kundër Republikës Islamike. Komiteti norvegjez i Nobelit ia ndau këtë çmim Mohammadit në tetor për luftën e saj “kundër shtypjes së grave në Iran” dhe për promovimin e të drejtave të njeriut.
/RTSH/