Noka: Arrestimet pas protestës së opozitës, provokim

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka ka reaguar pas arrestimeve të kryera nga policia pas protestës së mosbindjes civile të zhvilluar një ditë më parë nga opozita, ku u bllokuan disa segmente rrugore të vendit.
Në një deklaratë për mediet, Noka tha se Partia Demokratike dënon me forcë arrestimin e drejtuesve kryesorë të opozitës në Elbasan, Fier dhe veçanërisht të kryetarit të PD Pogradec, Genti Çela.
“Në një akt banditesk i denjë për diktaturat, narkopolicia e regjimit ka thirrur për të dhënë deklarime të gjithë drejtuesit e opozitës, me listë, përfshi edhe deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë”- u shpreh Noka.
Deputeti demokrat i ka cilësuar si të padrejta arrestimet, ndërsa shprehet se “këto arrestime do të marrin përgjigjen e merituar”.
“Çdo provokim dhe kërcënim i tillë nuk na zmbraps por na e thellon bindjen dhe shton zelln e vendosmërinë”- tha Noka.
Noka u bën thirrje demokratëve që të mos tremben, e shton se “çdo prangë, cdo burgim, çdo arrestim i liderëve dhe mbështetësve të opozitës, është vetëm një hallkë më shumë në zinxhirin e zemërimit popullor”. /j.p/