E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

LIBAN – HRW: Sulmet izraelite ndaj mjekëve, krime të dukshme lufte

BEJRUT, 30 tetor /ATSH-DPA/- Human Rights Watch (HRW), një organizatë e pavarur ndërkombëtare që punon si pjesë e një lëvizjeje për të mbështetur të drejtat e njeriut, tha sot se sulmet e ushtrisë izraelite ndaj personelit mjekësor dhe objekteve shëndetësore në Liban përbënin pjesërisht “krime të dukshme lufte”.

Organizata për të drejtat e njeriut dënoi sulmet e përsëritura të ushtrisë izraelite ndaj ndihmës-mjekëve, spitaleve dhe qendrave mjekësore në Liban në raportin e saj të fundit mbi luftën midis milicisë pro-iraniane të Hezbollahut dhe Izraelit.

“Sulmet e paligjshme të ushtrisë izraelite ndaj punonjësve shëndetësorë dhe spitaleve po shkatërrojnë sistemin tashmë të dobët të kujdesit shëndetësor të Libanit – dhe po i vënë punonjësit mjekësorë në rrezik të madh”, tha Ramzi Kaiss, studiues libanez në HRW.

HRW dokumentoi tre sulme të dyshuara si krime lufte – në të cilat forcat shtetërore sulmuan në mënyrë të paligjshme personelin mjekësor dhe objektet.

Organizata u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që urgjentisht të nisnin një hetim ndërkombëtar për armiqësitë e fundit në Liban dhe Izraelin verior.

Qeveria izraelite ka akuzuar milicinë e Hezbollahut për përdorimin e ambulancave për të transportuar luftëtarë dhe spitaleve për të fshehur armët dhe pajisjet.

HRW deklaroi se nuk ishin gjetur prova që sugjeronin se të tre objektet po përdoreshin për qëllime ushtarake në kohën e sulmeve, gjë që do të garantonte heqjen e statusit të tyre të mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.

Hezbollahu dhe Izraeli kaluan pothuajse një vit duke shkëmbyer zjarr përtej kufirit, duke shkaktuar qindra të vdekur dhe mijëra të plagosur në Liban – përpara fillimit të ofensivës izraelite.

Luftimet kanë shkaktuar gjithashtu ndikimin e tyre tek punonjësit shëndetësorë në Liban, me të paktën 163 të vrarë gjatë sulmeve izraelite.

“Rreth 272 të tjerë janë plagosur”, tha Ministria libaneze e Shëndetësisë./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›