Noka: Asgjë nuk e ndal marshimin tonë. Bardhi: Policia po zbaton urdhra të paligjshëm

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e radhës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në formë marshimi, protestuesit u nisën në drejtim të Ministrisë së Brendshme, por policia krijoi një bllokadë para ambienteve të Ministrisë, duke frenuar e më pas shpërndarë protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës.
Deputetët e Partisë Demokratike e cilësuan si të paligjshëm bllokadën e krijuar nga policia. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka theksoi se marshimi do të vijojë.
“E drejta e protestës është e drejtë kushtetuese. Në paligjshmëri janë urdhërdhënësit e tyre, këta policët e thjeshtë janë viktima të bandës së pushtetit. Asgjë nuk e ndal marshimin tonë.
“Ne u bëjmë thirrje policëve të bashkohen me qytetarët se këta janë të vjedhur sa ç’është vjedhur çdo shqiptar. Ndaj u bëj thirrje të hapin rrugën, të mos i shërbejnë Skënder Ballukut, por t’i shërbejnë ligjit. Do vazhdojmë marshimin pa asnjë diskutim. Marshimi është i pandalshëm”, tha Noka.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se policia po zbaton urdhra të paligjshëm.
“Po në ç’vend të botës del policia në marshim proteste paqësore? Në cilin vend të botës pengohet protesta? Si zbatoni urdhra të paligjshëm ju? Si pengoni një protestë në mënyrë të paligjshme? Nga kush i merrni urdhrat ju? A ishte protesta paqësore? Pse provokoni? Pse bllokoni rrugën? A keni ligj ju, apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm?”, tha Bardhi.
/m.q/r.e/a.f/