E Diel, 1 Nëntor 2026

Noka: Policia terror ndaj qytetarëve, nuk ka dhunë që ndalon opozitën

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Protestuesit e opozitës pas Kryeministrisë u zhvendosën në drejtim të Kuvendit, por kordoni policor si dhe përdorimi i autoboteve të ujit ndaj protestuesve, ndaloi afrimin e tyre pranë godinës.

Në një prononcim për mediet, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se “frika dhe paniku e ka kthyer Policinë e Shtetit, në një organizatë kriminale”.

Ai cilësoi si “mercenar” drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, që sipas tij “do të jetë përgjegjësi kryesor për këtë terror që po ushtron ndaj qytetarëve”.

“Urdhri i regjimit i dikton efektivët e policisë të përleshen me vëllezërit e tyre”, tha Noka.

Noka tha se opozitës nuk i “mbyllet goja me terror”.

Deputeti demokrat tha më tej se drejtues të Policisë së Shtetit, “do të konsiderohen nga opozita si pjesë të organizatës kriminale që drejton Policinë e Shtetit”.

“Përdoren jo për interesa të ligjit dhe të shtetit, por për interesa të mafies në pushtet”, tha ai.

Ai tha se “nuk ka dhunë që mund ta ndalojë opozitën. Opozita nuk do të ndalet deri sa ta largojë këtë të keqe të madhe që ka kapluar Shqipërinë”.

Protestues të opozitës pranë Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 26

/m.q/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›