E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Policia dhunë të paprecedentë ndaj protestuesve, disa deputetë të lënduar

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Partia Demokratike reagoi duke e cilësuar si të “paprecedentë” dhunën që sipas tyre u ushtrua nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve të opozitës mbrëmjen e sotme.

Në një deklaratë zyrtare të PD-së, thuhet se Policia e Shtetit u fut mes protestuesve duke përdorur spraj djegës, në një kohë që ende kreu i PD-së nuk kishte mbaruar fjalimin.

“Dhuna e paprecedentë e narkopolicisë me urdhër të Edi Ramës, sulmet me bomba, molotov, gaz lotsjellës kundër qytetarëve në protestën e opozitës, ka shkaktuar shumë të plagosur dhe të lënduar, disa prej tyre deputetë dhe drejtues të lartë të Partisë Demokratike. Si asnjëherë më parë narkopolicia nuk ka pritur as mbylljen e fjalës së kryetarit të opozitës dhe është futur në mes të protestuesve me repartet speciale “Operacionalja” dhe “Shqiponja” duke përdorur bombola spraji djegës drejtpërdrejt mbi protestuesit”, nënvizon PD.

PD deklaron më tej se “të plagosur në spital janë dërguar Luçiano Boçi, nënkryetar i Partisë Demokratike, deputeti Klevis Balliu dhe Aulon Kalaja, drejtues i Departamentit të Familjes, ndërsa është lënduar edhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, bashkë me dhjetëra qytetarë”.

Sipas PD-së dhuna e policisë “ka vetëm një qëllim, frikësimin e qytetarëve dhe shuarjen e valës së protestave kombëtare”.

“Tirana është sonte në shtetrrethim policor me qëllim mbrojtjen e narkoshtetit të Edi Ramës dhe hajdutërisë së tij kriminale.

“Duke dënuar me forcën më të madhe dhunën e egër ndaj demokratëve, Partia Demokratike garanton qytetarët se, asgjë nuk do e ndalë protestën dhe kryengritjen paqësore të opozitës deri në rrëzimin e autokracisë elektorale dhe kleptokrate të Edi Ramës”, nënvizoi PD. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›