Noka dhe Bardhi takim me qytetarë dhe biznese në Elbasan, thirrje për t’iu bashkuar protestës së 11 korrikut

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Këtë të enjte, nën moton “Të bashkuar në betejë”, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi si dhe deputetët e qarkut dhe drejtuesit lokalë të PD-së, kanë zhvilluar takime me qytetarë dhe biznese në qytetin e Elbasanit.
Noka dhe Bardhi u kanë bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës, e cila do të zhvillohet më datë 11 korrik, ora 20:00, qëllimi i së cilës është largimi i qeverisë që ka synim të vetëm zhvatjen e shqiptarëve.
Pas shpërndarjes së fletushkave në qytet, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi kanë zhvilluar një takim me kryesinë e degës së PD-së Elbasan, me fokusin tek organizimi dhe protesta e opozitës. Ata kanë kërkuar nga kryesia e degës që të takohen me qytetarët dhe bizneset, të trokasin derë më derë dhe të njihen me problematikat e tyre.
/r.e/