TEL AVIV – Netanyahu autorizon ekip negociator për pengjet

TEL AVIV, 4 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka autorizuar dërgimin e një ekipi negociatorësh për bisedime mbi një marrëveshje armëpushimi në këmbim të pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza.
Fillimisht ishte e paqartë se ku do të zhvillohej raundi tjetër i bisedimeve.
Negociatat e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari ishin zhvilluar më parë në Kajro ose Doha.
Bisedimet kohët e fundit kanë rënë në një ngërç për shkak të pikëpamjeve të ndryshme të Izraelit dhe Hamasit në lidhje me qëllimin e negociatave.
Hamasi bën thirrje për një fund të plotë të luftës së Gazës dhe një tërheqje izraelite nga zona e izoluar bregdetare.
Udhëheqësit izraelitë i kanë hedhur poshtë këto kushte dhe duan një armëpushim të përkohshëm që do të lehtësonte lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Izraeli këmbëngul se qëllimi i tij i deklaruar prej kohësh për të shtypur Hamasin në Rripin e Gazës nuk ka ndryshuar. /os/