Nora e Facebook-ut

Mbase Teatri Kombëtar ndoshta i ka bërë nder regjisorit Jeton Budima, duke i dhënë rastin për të provuar edhe njëherë. Regjisori në fjalë, pati krijuar njëfarë miti imponues tek qarqet mediale duke kritikuar këdo që merrej me art. Çka duhet bërë kur dështon dy ose tre herë se?
Thonë çka ta bënë goja jote nuk ta bënë askush. Z. Budima, me këtë shfaqje mbase do t’i ketë mbyllur portat e besimit vetvetes në relacion me kritikën, teatrin apo filmin.
“Nora” ia mbyllë portën e shpresës Torvalldit, me idenë, për t’i hapë portat e mendjes globale. Ndërsa, kjo Norë e tipit të rrjetit social Facebook, (që ia bënë add kujtdo dhe kushdo) ishte rob i një tavoline jo funksionale në kuptimin praktik, estetik mbi të gjitha dramaturgjik. Lap-topi dhe elementë tjerë ngelen koncept rekuizite. Bredhi i Ibsenit, determinon pemën e unitetit familjar, brishtësisë, dashurisë, e cila ndizet për gëzim familjar, por që do të shuhej gradualisht, me idenë, për të ndez bredhin e mendjes globale.
Dekori
Dhuratat e fëmijëve janë kot në skenë, kanapeja, rakia ngelen dekor i vdekur përderisa nuk ndodhë diç dramatike. Monotonia skenike ekskluzivisht ndërlidhet me platformën regjisoriale, thënë ndryshe, ishte shfaqje pa imagjinatë, e ndërtuar artificialisht, me personazhe të zhveshura në kontekstin e fushëveprimit. Nuk dihet cila është detyra apo misioni i tyre, nuk zhvillohen, nuk tjetërsohen, por ngelen në vend, siç ngelet drama në një vend e palëvizshme në karrocën invalidore.
Në fakt, regjisura fshihej pas emrave dhe potencës së aktorëve si: Teuta Krasniqi, Fatmir Spahiu, Dibran Tahiri dhe Naim Berisha.
Tymi
Ishte instaluar mendësia e tymit, e një jete të zezë pa shpresë e perspektivë. Personazhet i tymon me tym blete, nuk din çfarë bëjnë ose çfarë duhet bërë, por ngelen dekor i asaj skenografie dhe muzike pa shije.
Torvalldi në kuptimin dramaturgjik, vjen si kult i një mendësie norvegjeze, është thesari shtetëror nga konteksti filozofik. Ky Torvalld as në piknik nuk do të vishej me ato patika basketbolli, të cilat në raport me rrjedhat e dramës nuk thonë diçka. Në të kundërt, Fatmir Spahiu do të ngelet emblema e skenës teatrore, janë me dhjetëra role që dëshmojnë potencën e tij, po kështu, Teuta Krasniqi dhe Dibran Tahiri janë rolet e tyre të cilat i bëjnë avokati kreativitetit të tyre artistik. Doktori është sinonim shërimi i një shoqërie kancerogjene, në rastin e Norës, ai do të përpiqej që të shërojë të keqen familjare dhe do fitojë kancer për vetveten.
Nora e Ibsenit?
Nora cilësohet si monument i moralit global. Në këtë rast, nga konteksti dramaturgjik, ajo nuk ishte as kukull as e fortë. Vaji i saj, kostumet, raportet e saj me Krogstadin dhe familjen e saj do ta degradojnë karakterin e saj.
Ajo Nora e fortë e Ibsenit, farës së saj të mbjell në pemën e Krishtit do t’ia mbyll derën njëherë e përgjithmonë, për të dhënë një mesazh njerëzor për secilën nënë.
Ilaçi në natën e Krishtit
Kur futet kanceri brenda një shoqërie duhet hulumtuar ilaçi. Kjo shfaqje njëmend kishte nevojë për ilaçin e doktor Rankut. Nora kërkon ilaç në natën e krishtlindjeve, për të shpëtuar identitetin e saj familjar e njerëzor. Fundja, në aspektin filozofik, Torvalldi (bankieri) është shteti dhe për shtet duhet bërë kurban të gjithë. Në të kundërt, në këtë shfaqje nuk kishte krishtlindje, ora nuk ecën, i ftohti, natyra e acarit, iluzioni i dimrit nuk krijohej.