Normaliteti i absurditetit
Ja, më në fund, edhe ne shqiptarët e urtë e krenarë e zgjodhëm Presidentin e ri. Shumëkush, sidomos media, e kishte merak të madh: Cili do të zgjidhej vallë?
A do të ishte konsensual apo partiak? A do të gjendej një mbi palët? A do të lëshonte pè Berisha? A do të uleshin krerët në tryezë që të merreshin vesh? A do të gjenim dot një vetje me autoritet dhe personalitet të lartë, si na e kishte ënda e si na premtohej? Si do ta pranonte zgjedhjen kësodore Evropa dhe SHBA? A do të na jepej statusi i premtuar paskësaj?...E pra, tani, mund të thuhet se, më në fund, u rehatuam: E zgjodhëm!
Si mund ta keni vënë re e përsërita jo rastësisht dy herë foljen “e zgjodhëm”, teksa në të vërtetë dihet që ne qytetarët, ne votuesit, ne barngrënësit e përditshëm të politikës kishim në dorë vetëm çelësat e kashtës. Madje zgjedhjen e Presidentit jo vetëm ne të zakontët, po siç u pa nuk e kishte në dorë as Kuvendi, as ambasadori amerikan, as deputetët (sigurisht ata që nuk e votuan, por ca më shumë ata që e votuan me aq ngazëllim!), as forumet e partive, as grupet parlamentare, opozita, dihet, jo se jo, as koalicionet, as e ashtuquajtura shoqëri civile, as ish- kandidatët e varur e të pavarur bashkë me analistët që mbetën me gisht në gojë, as negociatorët e merakosur, as opinioni publik, as mediat, gazetat e sidomos televizionet që u bënë telef, por vetëm një njeri. Dhe ky, siç pranohet nga ne të gjithë dhe dihet botërisht është i palodhuri, i pamposhturi, kurrë i dorëhequri, i panginjuri me pushtet e me vetëlavdi, Sali Berisha.
Dhe hit parade e maskaradës që absurdin e quan normalitet dhe anasjelltas nuk paska të sosur, vazhdon, ngadhënjen. Na thonë që kemi stabilitet jo vetëm në ekonomi e në qeverisje, por në rajon e më gjerë, se ne qenkemi “faktor stabiliteti”, pavarësisht se lart e poshtë kazani zien nga sherret, konfliktet e keq(mos)kuptimet…Habitërisht këtë situatë në kuturu, pa drejtim e pa qëllim strategjik jo pak ndër ne, duke futur këtu edhe disa ambasadorë të plotfuqishëm, të cilët vazhdojnë të sillen si tutorë të shqiptarëve dhe të demokracisë sonë “të brishtë”, kanë filluar ta quajnë, si ndodh rëndom, një dukuri më se normale…Në çdo shoqëri evropiane kjo gjendje do të quhej: normalitet në absurditet. Sepse praktikisht në të gjitha fushat e jetës, jo vetëm në ato të politikës dhe ekonomisë, të kulturës dhe të arsimit, të shëndetësisë dhe të drejtësisë, të identitetit dhe të moralitetit ne jetojmë në një absurd tipik arnauto-shqiptar të përditësuar, të cilin, mjerisht, jo vetëm ne bashkëvuajtësit e këtushëm e të kahershëm, po edhe Fyle-aleatët që na asistojnë kanë filluar ta vlerësojnë si një (gjasme) normalitet: Të tillë jeni; tekefundit kaq meritoni, ne nuk kemi ç’të bëjmë më shumë për ju!
***
Dihet se nuk ka gjë më ndjellakeqe e më rrënonjëse për një njeri dhe më pas edhe për një shoqëri kur absurditeti pranohet si normalitet, kur fillon të përshtatesh me zezonën, me vuajtjen, mungesat, me sëmundjen dhe idenë e vdekjes, kur organizmi, trupi dhe shpirti, media dhe ai që quhet opinion publik e humbasin imunitetin nga infeksionet, kur psikoza e paralizës dhe e “poemës së mjerimit” të bën të besosh se asnjë mjek, asnjë ilaç, asnjë kurë nuk do të bëjnë më efekt. Në këtë situatë ndodhemi aktualisht, pas mbi njëzet vjet përpjekjesh dhe zvarritjesh, mundimesh e zhgënjimesh, humbjesh dhe disfatash, sistem të cilin e quajmë gati-gati si me përkëdheli: demokraci në tranzicion, ose, e thënë ca më shqip: demokraci në ngërç.
Në këtë mjedis të atrofizuar moralisht ku hajduti thërret “kapeni hajdutin” pranohet si normale që ministri i Brendshëm, teksa ishte nisur në Kuvend të votonte për Artan Hoxhën, të paracaktuar e të përzgjedhur nga Berisha, pasi ish tërhequr nga “gara” Zaganjori, e më pas edhe Hoxha (të cilin “e vetëvarën” për “punë dosjesh”), rrugës pra, me celular, ish-ministri ynë i Brendshëm njoftohet se, meqë edhe Hoxha ra nga fiku, Doktori ka vendosur që në orën pesë të pasdites, pra pas më pak se një ore të bëhet ai, z. Nishani, President i Republikës, qytetari ynë i parë, garanti i Kushtetutës dhe i unitetit…Por nëse deputetët e tij listakë, të cilët janë të detyruar të votojnë fshehur, nuk do të jepnin 70+1 vota që Nishani të bëhej President, atëherë Kuvendi do të shkrihej, gjë që do të thotë: deputetët do të mbeten pa punë, pa rrogë, pa imunitet, pa shofer, pa tendera, pa vipllëk, pa privilegje, madje edhe pa shpresë se mund të futen në listën e ardhshme të deputetëve… Në këto kushte jo Nishani, po edhe më dushmani do ta kishte të sigurt “me Kushtetutë” zgjedhjen President!
Nuk e di kush e ka thënë: As edhe një kujdestare kopshti fëmijësh, as edhe një polic privat i ndonjë magazine foragjeresh nuk mund të zgjidhet kësisoj, sigurisht po të ishim një shoqëri normale! Por ja që tek ne edhe zgjedhja dhe përzgjedhja e kësollojtë e Presidentit të Republikës quhet, mjerisht, “kushtetuese”, d.m.th më tepër se normale! Aq normale sa gati-gati nuk po na thonë: Pse nuk vdisni nga lumturia o shqiptarë që, më në fund, shpëtuat se zgjodhët më të mirin e më të mirëve?
E pra, tani duket normale që të kemi deputetë të telekomanduar, rekrutë, mercenarë, pa emër të përveçëm, pa dinjitet…Tani quhet akt kushtetues fakti që edhe votimi u krye pa u dorëhequr kandidati nga posti i ministrit të Brendshëm. Duhet të jetë një rast tepër i rrallë në botë që një President i porsazgjedhur (më saktë: i porsaemëruar) të jetë në të njëjtën kohë edhe deputet, edhe ministër i Brendshëm, edhe anëtar i kryesisë së PD-së, edhe ushtar i bindur i Berishës, edhe konsensual, edhe mbi palët, edhe votues i vetes, edhe përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, si brenda dhe jashtë kufijve!…U quajtka normale edhe kjo që, si po thuhet ndërkohë, rishtari-President fatkeqësisht ka pas vuajtur nga një sëmundje e rëndë, gjë që e konfirmoi edhe doktor Petrela, i cili i ka bërë një ndërhyrje në kokë para tre vjetësh…
E pra, duhet ta kuptojmë, dreqi e mori: Nuk ka mbrapshti kombëtare më të zezontë se kur absurditeti pranohet nga shumica, me hir e pahir, të quhet e të përtypet si normalitet; kur edhe poshtërimin, edhe fyerjen, edhe shkeljen e të drejtave më elementare të njeriut (si “Gërdeci”, vrasjet e 21 janarit, vjedhjet e votave, etj…) i pranojmë me moton e vjetër: Këtu e tatëpjetë, o byrazer, si ka qënë, do të jetë!
***
Këto ditë në Shkodër u ekzekutua, për një vijë uji, një gjysh bashkë me mbesën 17-vjeçare…Në plantacionet e hashashit të Lazaratit, të këtij minishteti brenda shtetit qenkan punësuar, me mëditje, mbi dyqind gjirokastritë….Edhe kjo quhet më se normale, si quhet normale që çdo ditë do të ketë lajme me shumicë me të vrarë në aksidente, me të vetëvarur, me të arrestuar, me të ekzekutuar, me të vetëhelmuar me bar miu, me minatorë që vriten në galeri, me fëmijë analfabetë që mbledhin hekurishte, kanoçe e mineral, me spitale, gjykata dhe administratë që të fusin dorën në xhep për të të qethur më me kollajllëk e natyrshmëri se hajdutët e xhepave nëpër autobusët urbanë…Të gjitha këto ububura tanimë na duken më se normale!
Por ajo që nuk na vret sytë e nuk na e turbullon hiç mendjen dhe shpirtin me sa duket qenka kjo pyetje e trishtë e njëkohësisht sa e thjeshtë, aq edhe absurde: A mund të quhet pluralizëm ky që kemi?
Se, sa për demokraci, këtë, besoj, e pranojmë, të djathtë e të majtë: Akoma jemi shumë vite dritë larg…Jo, ky nuk është pluralizëm, as partitizëm, as kryetarokraci, po pushtet absolut i një njeriu. Në një shoqëri ku opozita nuk dëgjohet, shkelet me këmbë, poshtërohet, fyhet, denigrohet, madje edhe vritet ditën për diell, nuk ka dhe nuk mund të ketë pluralizëm të njëmendtë. Kur trajtohet si armike opozita, si mund të trajtohet ndryshe një oponent i vetmuar, qoftë edhe një media e pavarur? Pluralizmi bëhet formal, sa për të larë gojën nëpër debate pa bukë dhe në seanca kuvendore pa ide. Dhe kjo është, pa asnjë dyshim, një tjetër rrëshqitje e normalitetit tonë në absurditet.
Tashmë dihet që ne si qytetarë jo vetëm që nuk e zgjedhim Presidentin, po nuk zgjedhim e nuk kemi asnjë ndikim mbi deputetët, pasi këta janë të bindur, sa fusin mandatin në xhep se nuk kanë asnjë punë me ne, po me kryetarin që i ka përzgjedhur me “listë”; ata janë të vetëdijshëm e të lumtur që do të komandohen herë si sejmenë, herë si dordolecë, herë si kobure…Vetëm ne shqiptarët nuk zgjedhim as kryetarët e partive (këta janë të përjetshëm!), as të gjykatave, as të institucioneve dhe administratës publike, ndaj, edhe kur qahemi, ankohemi kot, në kishën ose në xhaminë e gabuar!…Çfarë zgjedhim e çfarë pushtetesh kontrollojmë në të vërtetë ne, qytetarët e sotëm shqiptarë? Ne kemi të drejtë të zgjedhim vetëm stacionet e televizioneve; vetëm telekomandën na kanë lënë në dorë që të shohim se si absurditeti quhet normalitet dhe anasjelltas. Që të flemë rehat, të bindur se jemi më të lumturit e më të kënaqurit e Ballkanit, ngaqë nuk e dimë sa të mjerë jemi!
Në çdo shoqëri normale, në kësi rrethanash absurde të shkaktuara nga keqpolitika dhe keqqeverisja, me të drejtë shtrohet pyetja: Po opinioni publik ç’bën, pse hesht?…
Përgjigjja më e saktë ndoshta do të ish kjo: Opinioni publik tek ne, njëlloj si pluralizmi, ekziston sa për të thënë se jemi shoqëri demokratike, sa për të dëgjuar debatet e konferencat e shtypit të krerëve, që të bindemi për të votuar sa për sy e faqe, për t’u urdhëruar, për t’u manipuluar, për të ulur kokën, për të paguar taksa e gjoba, d.m.th për t’u përdorur ose si mish për top, ose si ambalazh i pluralizmit dhe, pse jo, edhe i demokracisë…Duke u përshtatur me të keqen, me ecjen një hap para dy prapa, duke e pranuar dhunën dhe prapambetjen me kaq qetësi e normalitet, absurditeti fiton legjitimitet, sigurisht bashkë me ata që e prodhojnë dhe stimulojnë qëllimisht atë….Kjo është, pa dyshim, arritja dhe suksesi më i madh i klasës së sotme politike në këto 22 vjet! “Se këtu e tatëpjetë, kështu ka qenë e do të jetë!” Prandaj rrini urtë e mos bëni as gëk, as mëk! A nuk ia kanë arritur udhëheqësit tanë këtij qëllimi, të cilin e kishin edhe pararendësit e tyre?