E Hënë, 2 Nëntor 2026

Norvegji-Itali, Spaleti nuk përmbahet, në shenjestër Açerbi dhe Roberto Mançini

Në vigjilje të ndeshjes mes Norvegjisë dhe Italisë në kampin e ekipit mik kanë ndodhur shumë situata, të cilat i kanë ndërlikuar tej mase punën Luçano Spaletit.

Italia ka humbur për dy sezone me radhë finalet e Botërorit dhe kjo fushatë është mjaft delikate pasi një tjetër dështim do të ishte fatal për të gjithë botën e futbollit të vendit fqinj.

Komisari teknik i Italisë Luçano Spaleti doli sot përballë gazetarëve për të prezantuar takimin delikat dhe mes disa çështjeve të trajtuara u ndal gjatë në atë që ka lidhje me Açerbin.

Siç dihet mbrojtësi i Interit refuzoi ftesën e komisarit teknik me justifikimin se nuk shkonte ku nuk ishte i mirëpritur. “Nuk mund të them shumë për komentin e bërë nga Açerbi, por pranoj se nuk mund ta kaloj këtë diskutim pa u sqaruar. Dua që të takohem me atë personalisht dhe të kuptoj se ku e ka marrë vesh ai se nuk ka qenë i mirëpritur”, tha Spaleti.

Në lidhje me këtë çështje komisari teknik i Italisë nuk kurseu që të shigjentonte edhe paraardhësin e tij, Roberto Mançini, i cili kishte pëlqyer një nga mesazhet publike të Açerbit në “X”. “Mendoj se Robertos do t’i kenë vjedhur celularin dhe po i përdorin rrjetet e tij sociale në mënyrë të tillë që ai të bëjë figurë të keqe”, komentoi Spaleti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›