E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shëndetësia në gatishmëri për sezonin turistik 2025, Koçiu kërkon koordinim maksimal

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, zhvilloi një takim me drejtuesit e spitaleve rajonale dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Fokusi kryesor i takimit ishte marrja e masave për sezonin turistik 2025 dhe përballimi i fluksit të pritshëm të vizitorëve në zonat bregdetare dhe malore.

Sipas Ministres Koçiu, çdo hallkë e sistemit shëndetësor është në gatishmëri maksimale për të përballuar këtë fluks, me një theks të veçantë këtë vit në shtimin e personelit në këto zona.

Koçiu theksoi rëndësinë e koordinimit dhe reagimit të menjëhershëm në çdo situatë, duke kërkuar më shumë përgjegjësi, bashkëpunim dhe përkushtim nga e gjithë struktura.

“Më shumë përgjegjësi, bashkëpunim e përkushtim për një shërbim shëndetësor cilësor, kudo ku ka nevojë,” u shpreh ajo, duke dëshmuar angazhimin e Ministrisë për të siguruar shërbime shëndetësore efikase dhe cilësore gjatë periudhës së ngarkuar verore.

Ky takim vjen në kohën kur Shqipëria pritet të presë një numër të madh turistësh, duke e bërë thelbësore përgatitjen e sistemit shëndetësor për çdo eventualitet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›