Norvegjia sekuestron një anije ruse në Svalbard për të kompensuar Ukrainën

Autoritetet norvegjeze kanë sekuestruar anijen kërkimore ruse “Professor Molchanov” në arkipelagun e Svalbardit, në bazë të një urdhri gjyqësor të kërkuar nga kompania shtetërore e energjisë e Ukrainës, Naftogaz. Veprimi vjen si pjesë e përpjekjeve për të siguruar një kompensim prej 4.22 miliardë dollarësh, pas konfiskimit nga Rusia të aseteve të kompanisë ukrainase në Krime që nga viti 2014.
Anija u ndalua të largohej nga porti në Barentsburg, një vendbanim rus minierash në Svalbard, pas një vendimi të Gjykatës së Qarkut Nord-Troms dhe Senja.
“Rusia nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë thjesht duke refuzuar të zbatojë një vendim arbitrazhi ndërkombëtar,” deklaroi drejtori ekzekutiv i Naftogaz, Sergii Fedorenko, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë të dhënë në vitin 2023.
Ndonëse Svalbardi ka qenë territor norvegjez që nga viti 1925 sipas një traktati ndërkombëtar që lejon praninë ekonomike të vendeve nënshkruese, autoritetet vendase konfirmuan se masa u mor në kuadër të zbatimit të detyrimeve ligjore ndërkombëtare. Ndërkohë, zyra e guvernatorit të Svalbardit ka siguruar kujdesin e nevojshëm për ekuipazhin dhe shkencëtarët në bord në bashkëpunim me ndërmarrjen ruse “Trust Arktikugol”.
Reagimi i Moskës ka qenë i menjëhershëm. Ambasadori i Rusisë në Norvegji, Nikolai Korchunov, njoftoi se Moska do të ndjekë lirimin e anijes përmes rrugëve ligjore, ndërsa Ministria e Jashtme ruse thirri ambasadorin norvegjez në Moskë për të paraqitur një ankesë zyrtare.
/rtsh.al/