E Shtunë, 31 Tetor 2026

Novela e natës së një kryeqyteti

Vepra postum "Tirana by night", e kompozitorit Ermir Dergjini, premierë koreografike nga Arjan Sukniqi në Teatrin e Operës dhe Baletit


Zënka në rrugë, shëtitje me motor, muzikë dhe zhurmë në baret e natës, të rinj që vallëzojnë, të tjerë që shijojnë një film në kinema dhe skena dashurie fshehtas. Tirana e orëve të vona.


Jo një kryeqytet vesesh, thjesht natë normale e një metropoli, e cila mbyllet me pastrimin e rrugëve dhe qyteti bëhet gati për të nisur një ditë të re. Këtë imazh kërkon të sjellë koreografi Arjan Sukniqi nesër në premierën e baletit "Tirana by night", shkruar nga kompozitori Ermir Dergjini (1954-2008).


Xhiroja e balerinit me motor, muzika rrok, kërcimi modern, dje paradite në skenën e Teatrit të Operës bënin ta harroje se ishe në shtëpinë e muzikës serioze. Të tillë skenë dhe dekor kërkonte edhe pjesa e baletit që po përgatitej.


"Tirana by night", është një pjesë bashkëkohore e krijuar nga kompozitori Ermir Dergjini me koreografi të Arjan Sukniqit. Gjatë pushimit të provave, koreografi thotë pak fjalë për konceptin mbi të cilin ka ndërtuar pjesën: "Kemi krijuar një hartë të kryeqytetit, me gjithë lëvizjet dhe argëtimet e të rinjve në orët e vona, kuptohet aq sa na lejon skena. Nuk e kemi ekzagjeruar me vese të tjera që mund të ketë një shoqëri, pasi nuk është një pjesë baleti që jep zgjidhje, apo mesazhe, nëpërmjet saj thjesht tregohet Tirana",- pohoi ai.


Pjesa nis me çarjen e një perdeje, si një simbol i rënies së regjimit komunist dhe më pas vjen ndryshimi, zhvillimi, derisa merr pamjen e një kryeqyteti të vërtetë. Për të treguar lëvizjen e tij dinamike, papritur skena kthehet në diskotekë, e hapur për baletin modern, muzikën e lartë, lëvizjet me motor, zënkat dhe dashuritë e natës.


Kjo pjesë nuk është bashkëkohore vetëm në aspektin koreografik, por edhe si krijim muzikor. Ajo është menduar e tillë që kur është krijuar, më shumë se 1 vit më parë nga kompozitori Ermir Dergjini, i cili nuk pati fatin ta dëgjojë.


"Tirana by night", novela e tranzicionit siç e kishte quajtur vetë kompozitori, është vepra e fundit që ai i la Muzikës së Re Bashkëkohore.


Përveç elementeve të muzikës së re të Dergjinit, koreografi Arjan Sukniqi pohon se janë futur edhe elementë të muzikës tradicionale, si edhe të kompozitorëve botërorë si Carl Orff, që kanë karakteristika të ngjashme me muzikën e kompozitorit shqiptar.


"Edhe pse është një balet fillim e fund bashkëkohor, kemi përdorur edhe disa elemente të muzikës tradicionale shqiptare, të para '80-ës. Kjo për t'i treguar spektatorit që në këtë metropol ka edhe njerëz nostalgjikë të kësaj kohe e kësaj muzike."
"Tirana natën", duke qenë premierë, paraqet ato vështirësi që ka krijimi nga e para e një vepre koreografike, për tepër që kompozitori mungon dhe ndihma e tij i mungon koreografit.


Megjithatë Sukniqi që kthehet në skenën e TOB-it pas një periudhe heshtjeje, shprehet i kënaqur që përshëndet iniciativën për të sjellë një vepër dhe një autor shqiptar, "pasi dihet sa pak vepra muzikore shqiptare janë krijuar vitet e fundit. Ata që do ta vënë në skenë më pas këtë vepër, do ta kenë më të lehtë, sepse kanë një shembull, gjë që mua më mungonte",- përfundon ai.


Protagonistë të "Tirana by night" janë balerinët Jonida Onuzi, Erisa Gina, Dion Gjinika, Sokol Zhugri etj. Skenografia është e Tonin Prendit.
Në të njëjtën skenë është realizuar edhe vepra e fundit e Ermir Dergjinit, një opera, "Dhoma" quhej, e cila pati këngëtarë të mirë, por kaloi pa u vënë re.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›