Nudoja e transparencës së Ramës
Me shpirtin e një artisti, Edi Rama hoqi vellon e politikanit dhe përshëndeti në blogun e tij me një fotografi gruaje, e cila provokoi ndjenjat e TV Klan-it, gazetarët e të cilës rendën qytet më qytet me të në duar dhe e tregonin sikur aty të ishte vet djalli. Ajo fotografi, ndoshta nuk do kishte marrë kaq shumë vëmendje nëse grupi mediatiko-qeveritar Klan sdo e kish trajtuar si kryelajm të vetin.
Mënyra sugjestionuese sesi bëhej pyetja dhe përgjigjet selektive që dëgjova, më bën të kthehem prapa në kohë, në vitet e diktaturës komuniste, atje ku morali i shoqërisë nuk duhet të prishej nga publikimi i hireve femërore. Sa e sa piktorë, skulptorë e poetë shqiptarë kanë ndrydhur artin e tyre për shkak të këtij mentaliteti. Nëse nuk kanë mundur dot ti fshehin punimet e tyre, nga frika e dënimit janë detyruar ti prishin, thyejnë apo grisin veprat që në qendër të vëmendjes kanë patur trupin e femrës. Që nga antikiteti e deri në ditë e sotme, piktorët dhe skulptorët me artin e tyre e kanë patur pjesë të pandarë të veprës femrën nudo, por jo vetëm atë. Po kujtoj këtu skulpturën e mrekullueshme të Mikelanxhelos, Davidi.
Por, fotografia nuk kishte të bënte fare me nudizmin e keqinterpretuar nga Klan-i, sepse edhe vet autori Man Ray e kishte quajtur Violina e Ingresit. Ajo tregon shpinën e zbuluar të një femre (të tilla ndesh shpesh gjatë verës jo vetëm në plazh por edhe rrugëve të qytetit) si dhe ekspozonte vetëm dy gisht nga kanali i të ndenjurave.
Është e çuditshme që gjithë atë përkushtim në drejtim të moralit publik e kishte marrë Klan-i, i cili pak javë më parë, në programin e ditës së premte në mbrëmje, transmetoi drejtpërdrejt në një nga orët me shikueshmëri të lartë, pamjet e një femre lakuriq nga mesi e lart, kurse moderatori i futi disa të puthura, ashtu siç ai ka qejf të thotë, me llapë. Skena aspak të hijshme të cilat tërhoqën vëmendjen e KKRT-së për ndjeshmëritë negative që mbartnin për mosha të caktuara.
E gjithë kjo furtunë në gotë prej Klan-it, u bë sepse ideator i saj ishte Edi Rama që, përpara se të jetë politikan, është një artist. Rama me të tilla surpriza kërkon të ndryshojë edhe një mentalitet, taleban dhe mesjetar, siç e përshkruan M.Nano te Respublica.al. Shumë hamendje u ngritën rreth saj se çfarë ka dashur të thotë me atë fotografi politikani-artist Edi Rama, kjo sepse ai nuk e sqaronte më tej veçse me një Gëzuar 2012. Secili ka gjykimin e vet, por personalisht e pashë në një këndvështrim tjetër dhe kuptimplotë, si një mesazh të tij për transparencën e munguar të qeverisë dhe si një premtim që kur të vijë në pushtet nuk do ketë asgjë për të fshehur.
Në fund dua ta mbyll me një citim nga njëra prej përgjigjeve që dha nga Shkodra për TV Klan një djalë i ri rreth të njëzetave. Këtu do kuptoni më mirë sesi fryma bolshevike e propagandës qeveritare është brumosur shumë thellë edhe në mentalitetin e të rinjve të cilët duhet të ishin të parët që ta hidhin tej atë të kaluar mbytëse, por që Klan-i dhe klanistët dëshirojnë të na e rikthejnë përsëri. Kjo fotografi është KATASTROFA më e madhe për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.
