E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi: Mirënjohje për efektivët që po luftojnë me flakët

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ndau sot pamje nga operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën e Dajtit, duke vlerësuar angazhimin dhe sakrificën e efektivëve në terren.

Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi theksoi se përkushtimi i efektivëve të strukturave të Emergjencave dhe Forcave të Armatosura përbën një mburojë për qytetarët, banesat dhe mjedisin.

“Me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrificë, ata janë në terren ditë e natë, nga toka dhe nga ajri”, u shpreh ministri.

Nufi shprehu mirënjohjen për të gjithë efektivët që po angazhohen në përballimin e situatës së zjarreve, veçanërisht në Dajt dhe Mallakastër, si dhe në të gjitha zonat ku flakët paraqesin rrezik për jetën, banesat dhe pasuritë.

Operacionet për shuarjen e vatrave të zjarrit po vijojnë me ndërhyrje nga toka dhe ajri, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në terren për monitorimin dhe menaxhimin e situatës.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›