E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Ukraina intensifikon sulmet ndaj objekteve energjetike ruse

KIEV, 6 gusht /ATSH/- Ukraina ka kryer sulme të reja me dronë ndaj objekteve të naftës në brendësi të territorit rus, duke synuar të dëmtojë ekonominë e luftës së Moskës, deklaroi sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas AP.

Sipas tij, forcat ukrainase goditën një rafineri në rajonin e Bashkortostanit, rreth 1,300 km larg vijës së frontit, si dhe një tjetër në rajonin e Jaroslavlit.

Guvernatori lokal konfirmoi se një sulm me dron shkaktoi zjarr në rezervuarët e naftës.

Ukraina deklaroi gjithashtu se ka goditur dy anije ushtarake ruse në Detin e Zi dhe disa anije të të ashtuquajturës “flotë hije”, që Moska i përdor për të shmangur sanksionet perëndimore ndaj eksporteve të naftës.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mbrojtja ajrore rrëzoi gjatë natës 605 dronë ukrainas mbi territorin rus.

Ndërkohë, sulmet ruse kanë vazhduar edhe  në Ukrainë.

Një sulm me raketa dhe dronë në rajonin e Kievit vrau 17 persona, ndërsa OKB-ja raportoi se në gjashtë muajt e parë të vitit janë vrarë 1 396 civilë ukrainas dhe janë plagosur rreth 7 978, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme.

Zelensky tha se Ukraina po përshpejton ndërtimin e armëve të veta balistike dhe një sistemi të ri kundër-raketor, duke synuar rezultate brenda këtij viti dhe vitit të ardhshëm.

Ai kërkoi gjithashtu ndihmë urgjente nga aleatët për furnizimin me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore, pasi sulmet ruse me raketa balistike dhe bomba ajrore po shtohen.

Ukraina tha se vetëm sistemet amerikane “Patriot” mund të ndalojnë disa prej këtyre raketave, por rezervat e raketave interceptuese janë dobësuar.

Në sulmet e fundit ruse, u raportuan viktima dhe të plagosur në rajonet Harkiv, Sumy, Herson dhe Zaporizhia, përfshirë një sulm ndaj një autobusi me punonjës bujqësorë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›