Nufi për Bordin e Paqes: Çojmë 4 oficerë shtabi në Gaza, më pas do të vlerësojmë sa ushtarë do dërgojmë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Qeveria miratoi sot në mbledhjen e fundit për këtë sezon disa akte që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes, mes të cilave ndryshime në ligjin për TVSH-në dhe projektaktin për angazhimin e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi bëri të ditur se ndryshimet në ligjin për TVSH synojnë lehtësimin e procedurave për kompanitë dhe ndërmarrjet e përbashkëta që operojnë në industrinë e mbrojtjes. Sipas tij, këto masa do të nxisin investimet dhe sjelljen e teknologjisë së avancuar në këtë sektor.
Nufi theksoi se lehtësitë do të ndikojnë në zhvillimin e fabrikave dhe kompanive që prodhojnë mjete dhe pajisje ushtarake në Shqipëri, duke garantuar furnizim më të shpejtë për Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë.
“Sot në mbledhjen e fundit për këtë sezon të Këshillit të Ministrave u miratuan disa akte për Ministrinë e Mbrojtjes. Ndër to janë ndryshimet e ligjit për TVSH-në për të lehtësuar procedurat për disa nga kompanitë dhe ndërmarrjet e përbashkëta që ne kemi në fushën e industrisë së mbrojtjes lidhur me ligjin për TVSH-në dhe lidhur me angazhimin e tyre konkret në sjelljen e teknologjisë së fjalës së fundit për këtë industri në Republikën e Shqipërisë.
“Ky lehtësim është i jashtëzakonshëm për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm, angazhimit dhe ngritjes së këtyre fabrikave, këtyre kompanive në Republikën e Shqipërisë për prodhimin e mjeteve dhe pajisjeve ushtarake duke garantuar kështu që prodhimi për Forcat e Armatosura edhe Forcat e Sigurisë është në Republikën e Shqipërisë në kohë reale dhe ajo dorëzohet në një mënyrë shumë të shpejtë. Shumë shpejt në ditët e ardhshme do të kemi edhe një event tjetër ku do të bëjmë me dije edhe se sa shpejt këto mjete prodhohen, kur ato prodhohen në Republikën e Shqipërisë dhe sa efektive janë kur këto prodhime ndodhin në Shqipëri”, tha ai.
Nufi theksoi se gjithashtu u miratua edhe projektaktin që do t’i dërgohet Kuvendit për miratimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Sipas ministrit, Shqipëria do të përfaqësohet fillimisht me katër oficerë shtabi. Pas vendosjes së tyre në mision, do të vlerësohet niveli i mëtejshëm i angazhimit të vendit, përfshirë numrin e trupave që mund të dërgohen dhe vendndodhjen e tyre të dislokimit në Gaza.
“E dytë u miratua edhe projekt akti ligjor për të vajtur në Kuvend për miratimin e misionit tonë në Gaza, në përputhje edhe me mandatin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Republika e Shqipërisë do të ketë një përfaqësi në Gaza duke filluar fillimisht me katër oficerë shtabi. E kemi bërë me dije edhe në intervista të tjera dhe në dalje të tjera publike që ky do të jetë angazhimi i Republikës së Shqipërisë dhe me vajtjen e këtyre katër oficerëve të shtabit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese do të vlerësohet më pas edhe kush do të jetë niveli konkret i trupave që do të dërgohen në Gaza, duke përfshirë këtu edhe vendndodhjen konkrete ku këto trupa do të dislokohen”, tha Nufi.
/m.q/a.f/r.e/