E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja e huas me SHBA, Bardhi: E papranueshme të shpërfillësh Kushtetutën

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetari i grupi parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot në lidhje me deklaratën e ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, i cili e konsideroi si të papranueshëm dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huas me SHBA-në.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi tha se është e papranueshme të shpërfillësh hapur Kushtetutën e vendit tënd dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu ai shtoi se e papranueshme është që deputetët të votojnë pa u njohur me tekstin e marrëveshjes, me të cilën Shqipëria merr një hua prej 302 milionë dollarësh.

“E papranueshme është që Këshilli i Ministrave të marrë një muaj kohë për shqyrtim, ndërsa Kuvendit të Shqipërisë t’i jepen vetëm katër orë për miratim. E papranueshme është të çosh miliona euro të shqiptarëve për tre inceneratorë që nuk ekzistojnë, ndërsa për të garantuar sigurinë kombëtare të marrësh borxh, sepse nuk arrin ta financosh atë me fondet e Buxhetit të Shtetit”, tha Bardhi.

Bardhi nënvizoi se e papranueshme është ta trajtosh një marrëveshje strategjike me aleatin tonë strategjik sikur të ishte një urdhër i brendshëm i Ministrit të Mbrojtjes.

“E papranueshme është që Presidentit të Republikës t’i jepen vetëm 30 minuta për të vlerësuar dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje huaje dhe që ai, brenda po këtyre 30 minutave, të japë pëlqimin pa e lexuar, pa e analizuar dhe pa përmbushur rolin e tij kushtetues të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve”, tha ai.

Bardhi shtoi gjithashtu se është e papranueshme t’i trajtosh të gjitha institucionet, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, si anekse të Qeverisë.

“Mbi të gjitha, nuk ka gjë më të pranueshme në një vend demokratik sesa mbrojtja e Kushtetutës”, theksoi ai.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›