Nuk do të hapet në qershor hapësira e sipërme ajrore e Kosovës

Paralajmërimi për hapjen në qershor të këtij viti të hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës nga NATO duket se do të shtyhet sërish. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu i ka thënë Radio Kosovës se po punojnë në këtë drejtim së bashku me Hungarinë, shtetin që NATO ka caktuar të menaxhoj hapësirën e sipërme ajrore të Kosovës.
Autoritet e Aviacionit Civil në Kosovë ndërkaq kanë thënë se brenda shumë pak kohe do të finalizohet marrëveshja teknike, ndërkaq hapja e saj do të bëhet pak kohë më vonë.
Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës e mbyllur që nga viti 1999 nuk do të hapet në qershor sipas paralajmërimit që ka bërë Aleanca Veriatlantike dhe qeveria e vendit. Në qershor është paralajmëruar të nënshkruhet vetëm marrëveshja teknike mes NATO-s dhe autoriteteve kosovare.
NATO sipas zëdhënëses, Oana Lungescu është duke punuar në këtë proces. Ajo nuk ka dhënë përgjigje nëse do të përfillen kërkesat e shtetit fqinj Serbisë që të negociohet më tej për hapësirën ajrore të Kosovës. Lungescu vetëm ka thënë se ‘bashkëpunimi me vendet fqinje mbetet thelbësor’.
“Komandanti i KFOR-it vazhdon të ketë autoritet mbi hapësirën e lartë ajrore të Kosovës sipas Rezolutës 12 44, por nuk ka aftësi ta menaxhoj trafikun ajror dhe për këtë arsye kemi kërkuar nga Hungaria të gjejë një zgjidhje për normalizimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës. Tani është duke u punuar në këtë”, i ka thënë Lungescu Radio Kosovës.
Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës ka thënë se nënshkrimi marrëveshjes do të finalizohet në qershor. “Po flas prej nivelit politik si proces që ka rrjedhur prej NATO-s i është deleguar Hungarocontrolit për një afat prej 3 vitesh. Ky nuk është vendim i yni, është vendim i Këshillit të NATO-s dhe nuk është fjala për pengesa që bënë Serbia”, ka thënë Nitaj.
Ndërsa shefi i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj ka thënë se do të varet prej afatit të zbatimit të marrëveshjes se kur do të hapet për fluturime komerciale hapësira e sipërme ajrore e Kosovës.
“Procesi është gati dhe shumë shpejt do të kemi njoftimin nga NATO”. Koha e fillimit të operimit të fluturimeve në vijën e sipërme ajrore të Kosovës dhe përqindjen që do ta ketë Kosova Gjonbalaj ka thënë se kjo do të negociohet me Hungarocontrol pas marrëveshjes që bën NATO.
Ndërkaq Bálint Bartyik nga Autoriteti i Shërbimit të Navigacionit Ajror hungarez Hungarocontrol ka thënë gjithashtu se gjërat janë në përgatitje e sipër.
Nga fluturimet komerciale në hapësirën e sipërme ajrore të Kosovës vendi pritet të fitoj nga 6 deri në 9 milionë euro në vit shumë kjo që do të ndahet me autoritetin hungarez të navigacionit./Indeksonline/