Nuk i dalin dokumentet për në Greqi, vetëvaret 24-vjeçari
Mallakastër- Nuk arrin dot të sigurojë dokumentet për në Greqi dhe i jep fund jetës nga dëshpërimi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Belishovë, të Mallakastrës, ku Klodian Serjani është gjetur i vetëvarur nga familjarët e tij.
Ngjarja
Sipas dëshmive nga familjarët dhe banorët e fshatit, 24-vjeçari Serjani ka qenë i vetëm në banesë kur është vetëflijuar duke u vetëvarur. Policia pas mbledhjes së dëshmive për ngjarjen bën me dije se nëna e të riut ka qenë në fshatin Hekal, kurse babai i tij, Nuriu, ndodhej në qytetin e Fierit. Në kushtet e një dëshpërimi të thellë, djali ka përfituar nga rasti që ka qenë i vetëm dhe duket se nuk e ka menduar më gjatë, por është varur në litar. Burime të afërta me familjen, dyshojnë se djali e ka menduar që më parë veprimin që do të kryente dhe gjithçka e ka bërë në qetësi të plotë, pa lënë të dyshonte gjë për vendimin ekstrem. Ndonëse, sipas atyre që e njihnin ai ka shfaqur prej kohësh shenja trishtimi dhe dëshpërimi të thellë. “Djali është gjetur i varur në një nga dhomat e shtëpisë së tij, në fshat”- bëjnë të ditur burimet policore, që të sinjalizuara për ngjarjen shkuan në vend dhe bënë ekspertizën. Sipas tyre, ai është gjetur nga të afërmit, të cilët janë tmerruar kur kanë parë trupin pa jetë të varur në litar.
Shkaku
Burime nga njerëz të afërt të 24-vjeçarit Serjani, thonë se ai kishte më se dy vjet që kishte ardhur nga emigrimi. “Ai kishte qenë një kohë emigrant dhe kishte provuar gjithandej, por nuk mundi të siguronte dot dokumentet”,- thonë të afërmit e viktimës. Sipas tyre, djali kishte qenë emigrant në Angli, Gjermani dhe Greqi. Përpjekjet e tij, sipas të afërmve, kanë qenë maksimale për të siguruar dokumentet. “Kërkonte gjithmonë të largohej për një jetë më të mirë, si gjithë të tjerët, por përpjekjet e tij dështuan”. Pas kësaj, sipas atyre që e njihnin, ai iu nënshtrua jetës në fshat. Banorët e përcaktojnë si një djalë shumë të sjellshëm, punëtor dhe të komunikueshëm me të gjithë. Mësohet se 24-vjeçari kishte dy vëllezër në emigracion në Greqi, të cilët janë munduar për t’i siguruar dokumente ligjore, por duket se vonesa në sigurimin e tyre ka shtuar dëshpërimin tek i riu. Kohët e fundit, sipas bashkëfshatarëve ai kishte shfaqur shenja depresioni dhe ishte bërë pesimist. Hetimet e para të policisë nxjerrin pikërisht këtë si shkak të vendimit të tij për t’i dhënë fund jetës. “Vetëvarja e tij ka ndodhur në kushtet e një depresioni të thellë”,- thonë burimet policore, duke iu referuar ekspertizës dhe hetimeve të para për ngjarjen.