Nuk i jepte para për bixhoz, burri rreh gruan në sy të fëmijëve, kunatës i hedh tenxheren që ziente në fytyrë
Nuk i jepte para të luante bixhoz, burri rreh bashkëshorten dhe djeg në fytyrë kunatën e tij. Ngjarja e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Bilishtit.
Sipas policisë, çifti Ilia dhe Brunilda Kordalli prej tre muajsh jetonin të ndarë për shkak të dhunës sistematike prej 13 vitesh, që 44-vjeçari ushtronte ndaj bashkëshortes, por që për hir të opinionit mbytës nëna e dy fëmijëve nuk e denoncoi kurrë.
Pasi ka shitur gjithçka në shtëpinë e tij dhe paratë e fituara i ka luajtur në bixhoz, 44-vjeçari ka shkuar mbrëmjen e kaluar në banesën e kunatës (motra e gruas), ku strehohej bashkëshortja dhe dy vajzat e mitura, për të kërkuar të tjera para.
Përgjigjja Jo e gruas ka qenë e papranueshme për burrin, i cili e ka rrahur me grushte dhe shkelma në sy të 2 vajzave, 8 dhe 12-vjeçare, që mes britmash janë përpjekur të ndalojnë babanë e tyre.
Në të tilla kushte kunata Nexhmie R. ka ndërhyrë, çka sjellë edhe sulmin ndaj saj.
Sipas policisë, dhëndri agresor i ka derdhur një tenxhere me gjellë në fytyrë, duke i shkaktuar djegie në një pjesë të fytyrës dhe qafë.
Pamja ime flet qartë dhe fjalët janë të tepërta. Më dridhet trupi kur kujtoj ngjarjen e djeshme. Gjithçka e ka zanafillën tek ndarja e motrës sime. Ajo prej vitesh dhunohej nga bashkëshorti i saj, pasi ai i kërkonte vazhdimisht para për të pirë alkool dhe luajtur bixhoz. Kur ajo nuk i jepte para, ai e rrihte me grushte dhe shkelma. Ajo iku dhe erdhi tek unë. Kunati erdhi në mbrëmje për të kërkuar para që të luante bixhoz. Motra kundërshtoi dhe ai nisi ta rrihte me grushte. Shikoja vajzën e tyre 8-vjeçare, e cila mes lotësh përpiqej të ndalte babanë e saj. Më pas u afrova vetë që ta ndalja, por ai e rrëmbeu një tenxhere të madhe me gjellë që ishte në sobë dhe ma hodhi të gjithën në fytyrë. Fatmirësisht më kapi vetëm anën e djathtë dhe më shpëtuan sytë. Mbaj mend që djegia e madhe më detyroi të bërtisja dhe ai u largua nga shtëpia. Vajzat ishin fshehur prapa dollapit në dhomë nga frika ndërsa ne njoftuam policinë.
Që kur është martuar, afro 13 vjet. Asnjëherë nuk ka parë një ditë të bardhë. Ai vetëm e ka rrahur dhe lotët nuk i janë ndarë kurrë nga sytë. Nuk e ka denoncuar asnjëherë. Ne jetojmë në një qytet të vogël dhe kemi frikë nga opinioni. Edhe unë që po flas, kam frikë tani. Ndaj ajo ka qenë e detyruar të heshtë, shprehet Nexhmie R. për GSH-në.
Ato kërkojnë mbrojtje nga policia, pasi kanë frikë se nëse lirohet, edhe mund ti vrasë.