E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka më para, Durrës-Kukës përlau 860 milionë euro

Buxheti

Ky vit duket se do të jetë i dobët në realizimin e veprave publike, konkretisht në rrugë. Ajo që pohohet nga Ministria e Financave, por edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, është se gjatë këtij viti nuk do të nisë asnjë projekt i ri rrugor.

Të gjitha projektet e reja të parashikuara në buxhetin e vitit 2010, për të cilat nuk janë zhvilluar ende procedurat e prokurimit publik, nuk do të ndërtohen.

Pas ndryshimeve në buxhet, vetëm tri projekte infrastrukturore shpëtojnë pa u prekur dhe këto janë: Unaza e Re apo segmenti Tiranë-Mullet, loti katërt i rrugës Durrës-Rrogozhinë dhe loti i tetë ose mbikalimi Plepa-Rrogozhinë.

Kjo për sa u përket rrugëve nacionale, pasi investimet e pushtetit vendor për rrugët dytësore do të vijojnë.

Ndërkohë, sipas zv.ministrit të Punëve Publike, Ernest Noka, Rruga e Kombit, ose Rrëshen-Kalimash, ka arritur deri tani 820 milionë lekë shpenzim.
Për sa i përket këtij viti, kjo rrugë nuk do të përfitojë më fonde, për shkak të krizës së financave publike.

Nga ana tjetër, projekti aq shumë i përfolur i Kryeministrit Sali Berisha, Tiranë-Elbasan ka mbetur pezull.

Ministria e Punëve Publike po shikon mundësinë për ta dhënë me koncesion ndërtimin e kësaj rruge, në kushtet kur paratë në buxhet nuk mjaftojnë.

Duke iu referuar edhe pohimeve të ministrit të Financave, Ritvan Bode, tashmë qeveria i ka kthyer sytë te financimet e huaja, konkretisht nga bankat ndërkombëtare për zhvillim me qëllim konkretizimin e projekteve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›