Nuk ka më shanse për bujqësi socialiste
Është shpalosur tashmë oferta e majtë për të na rikthyer tek bujqësia socialiste. Fjala nuk është për sistem kolektivist të Hoxhës, as per tufëzat dhe arëzat e Ramizit, por për programin socialist të Ramës. Rama ka bredhur dy vjet radhazi nga një katund në tjetrin dhe tash e shpalosi “enciklikën socialiste” të bujqësisë për ta hedhur në votim në 28 qershor të këtij viti. Si në të gjithë retorikën socialiste të këtyre ditëve, ku thelbi përtej të majtës dhe të djathtës është tërësisht absurd e amorf, e njëjta gjë po ndodh dhe me absurdin për programin e bujqësisë. Asnjë shans nuk ka që të rimashtrohen fermerët e Shqipërisë.
Po çfarë na ofron programi i Ramës hartuar nga grupet vullnetare që duket se nuk kanë asnjë dije për bujqësinë dhe fshatin. Është hedhur teza e sovranitetit ushqimor në Shqipëri. Kjo është një tezë programore në sens të kundërt me linjën tonë integruese. Ne tashmë jemi një treg i hapur edhe për bujqësinë e ushqimin. Jemi anëtarë prej vitesh të Organizatës Botërore të Tregëtisë (OBT) dhe kemi të ratifikuara e në zbatim marrveshjet e tregtisë së lire. Sovraniteti ushqimor i shpallur prej socialistëve vjen në kundërshtim të hapur me globalizmin dhe liberalizimin. Globalizmi dhe liberalizimi janë sot tendencë botërore sepse përmes tyre gjendet rruga e zhvillimit të qëndrueshëm social, ekonomik dhe ekologjik. Përmes tyre reduktohet pabarazia mes vendeve e territoreve. Globalizmi dhe liberalizimi tashmë janë legjitimuar sepse tregu mbetet rruga më e mirë dhe e vetme që ndërlidh kërkesën me ofertën, dhe është vertetuar përfundimisht se tregu i lirë sjell më shumë rritje ekonomike dhe më shumë pasuri.
Duke qenë një treg i hapur, sektori ynë i bujqësisë synon të prodhojë për vendin dhe për eksportin një gamë të madhe produktesh, por ne kurre nuk mund të mendojmë për izolim e sovranitet ushqimor. Ne do të vazhdojmë të importojmë sheqer e oriz, të importojmë kafe e fruta ekzotike, të importojmë ato produkte me të cilat ne nuk kemi shans të jemi konkurues në tregje. Ne kurre nuk do të punojmë më si në rrethim, nuk do t’i nënshtrohemi absurdit të ligjit socialist të mbështetjes në forcat e veta, apo parullës “lufta për bukën - luftë për socializmin”. Por ne do të vazhdojmë ta rrisim me hapa të shpejtë prodhimin e atyre produkteve me të cilat bëhemi konkurues. Edhe viti 2008 ka vertetuar tendecën tonë pozitive të rritjes së prodhimeve nga bujqësia. Në këtë vit, krahasuar me një vit më parë, janë prodhuar më shumë 86 mijë ton grurë, 30 mijë ton misër, 44 mijë ton perime, 36 mijë ton patate, 14 mijë ton fruta, 29 mijë ton ullinj, 1755 ton vaj ulliri, 9 mijë ton rrush, 2 mijë ton agrume, 24 mijë ton qumësht, 67 milionë kokrra vezë, 930 ton mjaltë, 807 ton konserva perimesh, 9 mijë hektolitra (HL) lëngje frutash, 150 mijë HL pije freskuese, 31 mijë HL qumësht i pasterizuar, 8.5 mijë HL verë, etj.
Janë shënuar hapa të rëndësishme në përmirësimin e raportit mes sasive të produktit vendas dhe atij që vjen nga importi në një shumicë artikujsh. Kështu në vitin 2008, ne kemi prodhuar në vend 715 mijë ton perime dhe kemi importuar vetëm 16 mijë ton, kemi prodhuar 190 mijë ton patate dhe kemi importuar vetëm 21.8 mijë ton, kemi prodhuar 22 mijë ton fasule dhe kemi importuar vetëm 360 ton, kemi prodhuar 134 mijë ton fruta dhe kemi importuar 79 mijë ton, duke e ulur edhe me 16 mijë ton importin e tyre krahasauar me një vit më parë. Kemi prodhuar 154 mije ton rrush, kemi importuar 5 mijë ton ose 1700 ton me pak se nje vit me pare. Kemi prodhuar 70 mijë ton mish, ndërkohë që importi është 35 mijë ton. Kemi prodhuar 803 milionë kokrra vezë, ndërkohë që importi është një milionë kokrra. Kemi prodhuar nga përpunimi 11.8 mijë ton djathë dhe kemi importuar vetëm 1.3 mije ton, kemi prodhuar 10341 ton sallame e proshuta dhe kemi importuar vetëm 4721 ton. Kemi prodhuar në vend më shumë gjalpë, birrë, ujë, etj, më shumë se sa kemi sjellë nga importi. Rritja e prodhimit në frutikulturë ka bërë që të kemi prodhuar 69.9 mijë ton lëngje frutash në një kohë që kemi importuar vetëm 8.6 mijë ton. Këto tregues i kanë dhënë prestigj prodhimit vendas në tregjet tona.
Një Ministri për Fshatin - është shpikja më e fundit socialiste, ose më saktë, loja socialiste me emra e fasada. Ministria aktuale e Bujqësisë e ka programin e zhvillimit integral për fshatin. Program të plotë, që është në zbatim e sipër për zhvillimin e qendrueshëm rural. Në tre vjet, qeverisja aktuale ka investuar në zbatim të këtij programi 1.2 miliardë dollarë, katër herë më shumë se pararendësit tanë. Dy strategji të miratuara edhe nga komuniteti i donatorëve janë sot në zbatim, strategjia sektoriale e bujqësisë dhe strategjia e zhvillimit rural. Por socialistëve nuk u duhet funksioni i Ministrisë së Bujqësisë, u duhet fasada, janë mjeshtra për fasadat. Duan t’u thonë fermerëve se sa shumë i duan dhe sa shumë u duhen votat e tyre, aq sa ministrisë do i ndërrojnë emrin dhe do i venë emrin e fshatit. As më pak as më shumë ky emër fasadë të sjell në mendje emrin Mao Ce Dun që Fadil Hasa ia vuri djalit në filmin e tij më të fundit.
Do të krijojnë Agjenci për Biznesin eshte teza tjetër programore e hedhur në treg. Luajnë me emrat e me fjalët se Agjensia sot është në punë. Ajo është e emërtuar AZHRB, Agjencia për Zhvillimin Rural dhe Bujqesor dhe është krijuar sipas ligjit të miratuar nga mazhoranca e sotme si dhe të vendimit të qeverisë Berisha nr. 1443, datë 30 tetor 2008. Kjo Agjensi është sot në aktivitet te plote sipas modelit europian. Për forcimin e saj dhe për zhvillimin rural, nga Programi IPA i Brukselit janë dhënë 2.6 milionë eurot e para. Në tre vitet e fundit kjo Agjensi ka dhënë për fermerë, jo pak por afër 30 milionë dollarë mbështetje direkte për shtimin e sipërfaqeve me vreshta, pemtore, ullishte, sera me ngrohje, sera diellore, produkte bio, sistemet e ujitjes me pika, prodhimin e vajit ekstra virgjin, për lopët e qumështit, për delet, për bletarinë, për reduktimin e normave të interesit për kreditë e marra për zhvillimin e veprimtarive agropërpunuese, për persona e kompani që ruajnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte bujqësore. Ndërkohë për vitin 2010 janë të planifikuara 22 milionë dollarë të tjera mbështetje direkte për bujqësinë. Atëherë, për cilën Agjenci bëjnë fjalë socialistët, për cilat skema dhe për cilat fonde, perveçse si gjithmonë fjalë, emërtime dhe mashtrime pa asgjë në thes.
Do të rikthejnë naftën për fermerët është mashtrimi i dyfishtë socialist. I dyfishtë sepse ato gjoja e zbatuan këtë program për disa vite rradhazi kur ishin në pushtet, por asnjë litër karburant nuk shkoi tek fermerët. Por si mjeshtra për vjedhje e mashtrim, ata e duan përsëri këtë skemë, që ne e zevendësuam me siç thamë 30 milionë dollarë të investuara në 19 skema mbështetëse për fermerët, duke pohuar me siguri se çdo njësi monetare ka shkuar në llogaritë bankare të fermerëve. Kush pretendon të kundërtën, le të gjejë prova e fakte, por të tilla nuk ka. Rama me socialistët e tij duan të rikthejnë tollonin. Nuk rrinë dot pa tollona. Tolloni është e mbetet simboli i rrënimit, simboli i fukarallëkut dhe i denigrimit njerzor. Socialistët e viteve 2000 – 2005 i shtuan tollonit të paraviteve ’90 edhe një simbolikë tjetër, permes tollonit të naftës pa akcizë. Tolloni i naftës pa akcizë – simboli më i qartë i vjedhjes. Ne jemi kundër tollonit sepse jemi kundër vjedhjes. Para për skema mbështetëse, por pa tollona, tek fermerët kemi dërguar e do të dërgojmë disa herë më shumë se vlera e tollonave të vjedhura ndër vite.
Do kemi një program, thonë socialistët, për konsolidimin e tokës dhe i kanë venë dhe nje emër të madh, Kodi i Tokës. Si gjithmonë mjeshtra për emra, për parulla, për fasada. Konsolidim i tokës në thelb do të thotë që fermerët të mbështetën për të shkëmbyer ndër vete parcelat e coptuara që ata kanë në pronësi, me qellim që të rritet përmasa e madhësisë së fermës. Dhe duan ta bejnë këtë ata që për dy vjet nuk pranuan për të votuar në Parlament ligjin “Për verifikimin e titujve të pronësisë”. E bënë jo pa qëllim kundershtimin për këtë ligj, dhe qellimi tashmë del me sheshazi. Nuk duan asnjë verifikim por duan të legjitimojnë hajdutët dhe abuzuesit me titujt e pronësisë, ata që kanë përfituar tituj në kundërshtim me ligjin. Madje shkojnë më tej, duan të ndërtojnë një program që hajdutët të shkëmbejnë pronat me njëri - tjetrin dhe tu japin atyre legjitimitet. Nuk mund të ketë program për konsolidimin e tokës pa përfunduar me transparencë të plotë ligji për verifikimin e titujve të pronësisë. Vetëm pas kësaj mund të ketë program që legjitimistët të shkëmbejnë pronat e tyre. Veç kësaj, ky program bëhet funksional sa më shumë fermerët të shohin interes dhe mbështetje për aktivitetin e tyre
Do presim sa duket në ditët në vazhdim dhe përralla të tjera për fshatin. Por programet e bujqësisë tashmë janë programe të konsoliduara. Ato janë në trendin e politikave europiane të bujqësisë. Programi i pagesave direkte, programi i ujitjes dhe kullimit, programi i standarteve të sigurisë ushqimore, shtuar këtu edhe programin më të fundit - programin e madh të ullirit. Në tërësi programi që ne kemi hartuar dhe po zbatojmë për zhvillimin e qendrueshëm rural dhe bujqësor, tashmë ka zënë vend. Ne nuk pretendojmë se kemi zgjidhë plotësisht problemet e bujqësisë, po kur shohim dhe analizojmë ndryshimet e bëra në këto pak vite të fundit, bindemi se kemi punuar me një filozofi të qartë në këtë sektor. Bazuar në këtë filozofi dhe duke menaxhuar ditë për ditë, ia dolëm që ta bëjmë programin dhe politikat bujqësore më të thjeshta, më tingëlluese, më të forta dhe më transparente. Politika më e mirë është politika transparente, por politikanët, analistët, qytetarët, lobistët, etj, duhet të shohin përpara dhe jo të kthehen mbrapsht me politika të paqarta, aq më tepër me politika lojra fjalësh. Ne jemi të angazhuar t’i thellojmë këto politika në përputhje të plotë me programin europian të bujqësisë e në respekt të veçorive, specifikave dhe përparësive tona të zhvillimit.
...