Nuk ka më test COVID-19, SHBA heq kufizimin për udhëtimet ndërkombëtare

SHBA ka marrë vendimin për heqjen e testit të COVID-19 për udhëtimet. Sipas VOA, administrata e Biden i ka dhënë fund një prej masave të marra për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Sekretari i Shëndëtësisë së SHBA, Xavier Becerra ka deklaruar se kjo masë ishte e nevojshme edhe për shkak të përparimit që është bërë në luftën ndaj COVID-19, si dhe nga presioni që është bërë prej muajsh ndaj administratës nga linjat ajrore, grupet e turizmit. “Ky hap është i mundur për shkak të përparimit që kemi bërë në luftën tonë kundër COVID-19,” tha Sekretari i Shëndetësisë i SHBA, Xavier Becerra.
Vendimi i administratës së Biden, sipas linjave ajrore amerikane, do rrisë kërkesën për fluturime, duke shkuar në 4.3 milionë pasagjerë më shumë në një vit. Sidoqoftë, është e paqartë nëse linjat ajrore do e përballojnë këtë fluks udhëtimesh, pasi po përballen me mungesë pilotësh. Pavarësisht përfundimit të kërkesës së testimit, CDC tha se ende rekomandon testimin e COVID-19 përpara udhëtimit ajror të çdo lloji, si një masë paraprake sigurie.
/rtsh.al/