Nuk ka zgjedhje në Tiranë/ Gjykata Kushtetuese vendos Pro Erion Veliajt

Gjykata Kushtetuese ka vendosur Pro Erion Veliajt, duke rrëzuar vendimine Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij dhe duke e lënë këtë të fundit në krye të bashkisë së Tiranës.
Me një vendimmarrje 5 me 3, Kushtetuesja i jep të drejtë Veliajt, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit të këtij viti, raporton Fax News.
Dhënia e këtij vendimi do të thotë po ashtu se në kryeqytet nuk do të zhvillohen zgjedhje, duke e bërë edhe dekretin e presidentit Bajram Begaj të pavlefshëm.
Kujtojmë se qeveria e shkarkoi Veliajn më 25 shtator, duke u mbështetur në nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, pasi ai nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj.
Gjatë seancës së 31 tetorit, Erion Veliaj u përball për rreth 7 orë në gjykatë me kryeministrinë dhe presidencën, njëra që firmosi shkarkimin e tij, e tjetra që dekretoi zgjedhje në kryeqytet.
Mes tij dhe qeverisë u zhvillua një debat i gjatë nëse shkarkimi me argumentin e mungesës në punë 3 muaj, ishte i ligjshëm dhe i drejtë.
Erion Veliaj mbahet në paraburgim në Burgun e Durrësit. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa, ai akuzohet për korrupsion në 9 raste.
Mbi të rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.