E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk përfitohet gjë nga këto kontestime dhe shtrembërime

Skënderbeu është figura më e ndritur e historigrafisë shqiptare, sepse ai mbrojti me heroizëm të pashoq trojet shqiptare për 25 vjet nga hordhitë barbare osmane të perandorisë më të fuqishme të kohës. Ndërkohë, ai u bë mburoja e pakalueshme për mbrojtjen e qytetërimit Europian nga invazioni turk. Si prijës i shqiptarëve, ai ka meritën se krijoi shtetin e parë shqiptar.

Në të gjitha betejat ushtarake, përjashtuar disfatën e Beratit, ai doli përherë fitimtar ndaj turqve, ku spikati dukshëm talenti, gjenialiteti, zotësia dhe aftësia e rrallë e një takticieni dhe strategu të madh ushtarak. Por, në veçanti, fama dhe jehona e tij bëri bujë, shkëlqeu dhe u lartësua më shumë me fitoren e betejës së Torviollit, ndonëse me raport forcash të pabarabarta. Për meritat e tij të padiskutueshme, jo vetëm në rrafshin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar, kanë bërë vlerësime superlative historianë, studiues, shkrimtarë e analistë, vendas e të huaj. Por, në radhë të parë do të veçoja Marin Barletin, Naim Frashërin, Aleks Budën e Kristo Frashërin, që janë gjigantët dhe kolosët e historiografisë shqiptare.

Bile të huajt e kanë quajtur si atlet i Krishtit, Kryekomandanti i Kryqëzatës dhe mburoja e Europës ndaj vërshimit osman. Por, çuditërisht, befas dhe krejt papritur, shpërthyen stuhitë kontestuese, kritikat dhe pozicionet relativizuese e të dyshimta për madhështinë dhe mitin e figurës së Skënderbeut.

Nuk arrij ta kuptoj se çfarë përfiton kombi, shqiptarët dhe Shqipëria nga këto kontestime dhe shtrembërime të padrejta. Pozicionime të tilla e aspak serioze, janë një përgjegjësi e madhe kombëtare për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e identitetit tonë.

Por, gjithsesi, pavarësisht nga thënie dhe sajesa të tilla çmitizuese, Skënderbeu për të gjithë shqiptarët do të mbetet përjetësisht legjenda, heroi, miti, nderi dhe lavdia e kombit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›