Nuk shkuan në mitingje, hiqen nga puna dhjetëra qytetarë
Bum denoncimesh te Avokati i Popullit. Qytetarët largohen nga puna për motive politike
Në këto pak javë të fushatës zgjedhore dhjetëra qytetarë janë ankuar te Avokati i Popullit se janë hequr nga puna për arsye politike. Institucioni i Avokatit i ka marrë në shqyrtim këto kërkesa dhe sipas zyrës së ndihmës komisionerit të Avokatit të Popullit denoncimet kanë ardhur kryesisht nga të larguarit e administratës shtetërore.
Largimet
Numri i denoncimeve po rritet përditë e më shumë, ndërkohë që ende nuk ka një të dhënë të saktë statistikore deri më tani, pasi çdo ditë rastet shtohen. Zyra e komisionarit pranë Avokatit të Popullit pohon se ka nisur hetimi për rastet në fjalë, duke kërkuar informacion nga institucionet përkatëse. Ankuesit pretendojnë se largimi i tyre nga puna është bërë sepse ato nuk kanë marrë pjesë në mitingjet politike.
Akuzat
Partitë politike gjatë dy muajve të fushatës kanë akuzuar njëra-tjetrën se po përdorin administratën për të mbushur sheshet. Ndërkohë këtij shqetësimi i janë bashkuar edhe ndërkombëtarët. Kodi zgjedhor përcakton se gjatë fushatës elektorale ndalohet marrja në punë dhe largimi nga puna, i cili mund të ndodh vetëm në raste të përligjura.
Denoncimet
Vetëm pak ditë më parë, institucioni i Avokatit të Popullit vuri në dispozicion të të gjithë qytetarëve dy numra telefoni ku ata mund të denoncojnë çdo lloj forme presioni që konstatojnë gjatë kësaj periudhe fushate. Numrat e telefonit janë pa pagesë, ti vënë në dispozicion vetëm për këtë qëllim. AP njofton se numri ku mund të denoncohen raste të tilla është 0800 11 11 (pa pagesë) nga telefonat fiks, ndërsa të gjithë abonentët e telefonisë celulare mund të kontaktojnë në numrin 0689034648.