E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Legalizimet dhe amnistia fiskale, BB kritikon Shqipërinë

Ekonomia shqiptare rritje pozitive më 2013. Qeveria e re të bëjë kujdes me taksat

banka_botëroreBanka Botërore nuk është dakord me mënyrën se si po ecën procesi i legalizimeve në vendin tonë, dhe me përsëritjen periodike të amnistisë fiskale. Sipas përfaqësuesve të BB-së në Shqipëri, nuk është pozitive për asnjë qeveri amnistia periodike, pasi krijon konfuzion te qytetarët, të cilët priren të mos respektojnë ligjin dhe të mos paguajnë taksa me shpresën se do tju falen në amnistinë e radhës.
Amnistia
Përsëritja periodike e amnistisë fiskale dhe e legalizimeve japin mesazhe të gabuara dhe nxisin mosrespektimin e ligjeve dhe të të drejtave të pronës, tha Ksenya Lvovsky përfaqësuese e Bankës Botërore në Tiranë, ndërsa ka shprehur mosdakordësinë e saj me disa prej nismave elektorale të qeverisë.
Legalizimet
Nga ana tjetër sipas drejtoreshës për degën e BB-së në Shqipëri Ksenya Lvovsky edhe procesi i legalizimeve nuk duhet të bëhet me sezone, valë-valë, pasi hapësirat kohore krijojnë kushte për shtimin e ndërtimeve të tjera pa leje, duke e zvarritur pambarimisht procesin. Ne e dimë që ka pasur një valë legalizimesh para zgjedhjeve dhe një numër pronash pritet të legalizohen pas zgjedhjeve, por duhet të ketë një sistem që ta realizojë me kujdes këtë proces dhe jo valë-valë, pasi do të nxiste zënien e pronave, tha më tej Lvovsky.
Konsolidimi fiskal
Gjithashtu Banka Botërore i rekomandon qeverise që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit që të ketë prioritet konsolidimin fiskal. Kjo nënkupton që më shumë sesa te ulja e taksave, qeveria duhet të fokusohet te stabiliteti fiskal, me qëllim krijimin e një ambienti më të mirë për biznesin. Qeveria e re duhet të vazhdojë të zbatojë reformat strukturore të nisura, për të mbështetur rritjen ekonomike, si dhe të ketë prioritet konsolidimin fiskal, tha më tej Ksenya Lvovsky, ndërsa ekonomisti Erjon Luçi u shpreh se: Nuk është shumë e rëndësishme struktura sesa stabiliteti i taksave për bizneset.
Borxhi i lartë
Banka Botërore vlerëson të lartë edhe nivelin e borxhit publik, ndërsa argumenton se ulja e tij është e vështirë përpara mosrealizimit të të ardhurave. Procesi i konsolidimit po bëhet gjithnjë e më i vështirë, mbajtja e borxhit të lartë vendos një risk shtesë në menaxhimin e financave publike. Rritja disi modeste e bën më të vështirë këtë dalje nga niveli i lartë i borxhit, theksoi Erjon Luçi, ekonomist i Bankës Botërore.
Raporti
Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të raportit të Zhvillimeve Ekonomike në Europën Juglindore në zyrat e BB-së në Shqipëri. Raporti parashikon një rimëkëmbje të brishtë ekonomike gjatë vitit 2013, por perspektivat ngelen ende mjaft të pasigurta dhe performanca e Rajonit ngelet e lidhur ngushtë me rritjen e Eurozonës. Konkretisht sipas raportit në fjalë Shqipëria pritet të shënojë këtë vit një rritje ekonomike 1.8 për qind, e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve. Ndërkohë, vendi po përballet me një nivel të lartë të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si dhe një papunësi të lartë tek të rinjtë.

1.8 %
parashikohet të jetë rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2013, e renditur kësisoj e treta në rajon pas Kosovës me 3.1 %, dhe Serbisë me 2 %

23 %
llogaritet të jetë niveli i papunësie në rajon, ndërsa nivelet e papunësisë së të rinjve me më shumë se 50%

70 %
e firmave në Shqipëri dhe Kosovë, ankohen për mungesën e njerëzve të kualifikuar në pozicionet e reja të punës. Sipas BB, kjo do të thotë se sistemet e arsimit në rajon nuk po përshtaten me tregun e punës

Moody’s: Ekonomia shqiptare do jetë stabël
Shqipëria ka një pritshmëri stabël për të ardhmen e ekonomisë dhe financave publike.  Ky është vlerësimi i fundit i agjencisë së vlerësimit të kreditit dhe koorporatave Moody’s. Ministria jonë e Financave shprehet se një vlerësim i tillë përçon sinjale pozitive dhe në të njëjtën kohë është edhe dëshmi e kredibilitetit të vendit per stabilitetin makroekonomik, politikat dhe reformat ekonomike në mbështetje të biznesit, përmirësimit të mjedisit fiskal dhe vazhdimësisë së reformave në vend. Moody’s evidenton dhe vlerëson faktin se Shqipëria i rezistoi fuqishëm presioneve të krizës financiare në Evropë dhe më gjerë, duke menaxhuar të ketë rritje ekonomike dhe reforma të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›