Nuk të bën mësues Masteri
Mimoza Sulaj/Mësuese, MA
-Para disa ditësh kam lexuar në gazetë një shkrim rreth urdhrit të Ministrit të Arsimit, për mësuesit e Ciklit të Ulët për të pasur një Master Shkencor edhe pse disa mësues kanë 20 apo 25 vite punë. Me gjithë respektin që kam për ministrin dhe përpjekjet dhe reformat që ai bën për të përmirësuar shkollën, mua kjo lloj politike nuk më duket e duhura në kushtet që shkolla jonë është sot. Pse e them këtë? E para, detyra e mësueses është të mësojë nxënësit e klasës së saj dhe një diplomë e merituar si dhe kualifikime dhe testime profesionale, janë shumë të mjaftueshme që mësuesja ta bëjë shumë mirë punën.
Edhe unë kam një diplomë MA nga një Universitet Evropian, si dhe kam kaluar provimin ndërkombëtar të anglishtes, (IELTS Academic). Kam punuar mësuese dhe pa i pasur këto dy kualifikime dhe punën time e bëja shumë mirë dhe pa pasur Master. Përcaktuese është diploma e merituar, kualifikimet dhe testimet profesionale. E dyta, kërkohet MA, por nuk jepen argumente të qarta, pse duhet kjo për mësuesit që kanë 20 apo 25 vjet punë dhe çfarë pritshmërie ka nëse kjo politikë zbatohet? E treta, thuhet që edhe pse mund të kesh një diplomë MA, rroga do të jetë e njëjtë. Atëherë përse duhet MA kur ke dhe 25 vite punë?! E katërta, Kurrikula e Ciklit Ulët, kur kjo degë është hapur fillimisht, ka qenë Kurrikul tepër profesionale. Mësueset që kanë 20 apo 25 vjet pune i përkasin shkollave me të tillë Kurrikul. Kurrikula midis të tjerash përfshinte: Morfologji, Sintaksë, Drejtshkrim, Matematikë 1 dhe 2, Anatomi, Psikologji të përgjithshme, Psikologji për Fëmije, Letërsi për Fëmijë, Histori, Gjeografi, Pedagogji, Histori Mendimi Pedagogjik, Gjuhë e Huaj, të gjitha Metodikat për mësimdhënien për lëndë të veçanta, madje edhe Metodikë Bukurshkrimi etj...
Një mësues me një diplomë të tillë dhe me 20 vite eksperiencë, plus kualifikime profesionale, është plotësisht i plotësuar për të bërë shumë mirë punën e tij nëse do. E pesta, të kesh diplomë MA nga universitetet në Shqipëri duhet të kesh kaluar dhe provimin ndërkombëtar të anglishtes, sepse anglishtja është kriter të marrësh diplomë MA dhe kjo gjë është shumë mirë. Kështu që mësuesit, që të arrijë të ketë diplomën e MA Shkencor do i duhet dhe provimi i anglishtes. T’i kesh këto dy diploma shtesë pa të ndryshuar rroga, është sakrificë e madhe si dhe shpenzim. Edhe në vendet që kanë arsim të zhvilluar, mësuesit që kanë një MA Shkencor apo Profesional, jo vetëm që kanë diferencë të konsiderueshme në rrogë, por shumica punojnë drejtues, ose merren me kërkime në arsim, ose punojnë nëpër OJQ që kanë fokus arsimin. MA shkencore dhe provimin ndërkombëtar të anglishtes duhet të kenë Drejtorët e Drejtorive Arsimore, Inspektorët, Autorët e Teksteve, Drejtuesit e Shkollave sepse këta priten të bëjnë politika si dhe kanë përgjegjësinë për zhvillimin e arsimit.