Numërimi, PR ankimon rezultatet e Beratit
Kandidati republikan, Astrit Veliaj, pretendon se i kanë humbur votat gjatë procesit të numërimit
Ende pa përfunduar procesi i nxjerrjes së rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur në mënyrë zyrtare pakënaqësitë e para të subjekteve zgjedhore, të cilat nuk janë të kënaqura me rezultatin.
E para që ka bërë ankimim ishte Partia Republikane, e cila megjithëse garoi në të gjithë vendin me të gjithë kandidatët e mundshëm, arriti të fitojë vetëm një mandat deputeti, duke futur me shumë mundime në Kuvend vetëm kryetarin e saj, Fatmir Mediun.
Dështimin në këtë garë ajo kërkon t'ua faturojë pikërisht manipulimeve të mundshme që mund të kenë ndodhur gjatë procesit të numërimit të votave. Një nga zonat ku ajo ka dyshime të forta për tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve në dëm të saj, është Qarku i Beratit, ku PR-ja shpresoi deri në fund për të marr një mandat me anë të kandidatit të saj, Astrit Veliaj, i cili arriti të grumbullojë 4163 vota.
Në bazë të një pretendimi të tillë, KQZ-ja ka nisur dje procedurën e shqyrtimit të ankimimit të kërkesë-ankesës së kësaj force, e cila i kërkon këtij institucioni që të shpallë të pavlefshëm rezultatin e shpallur nga tre KZAZ në Qarkun e Beratit dhe më konkretisht, ato me numër 1, 2 dhe 3.
Në materialin që shoqëron këtë kërkesë, ky subjekt zgjedhor argumenton se gjatë numërimit të votave në VNV-të e këtyre KZAZ-ve, komisionerët e majtë, në mënyrë të kundërligjshme kanë numëruar votat e PR-së për subjektin tjetër zgjedhor, G99.
Gjithashtu, në të thuhet se gjatë procesit të numërimit të votave, është vënë re një fenomen tjetër që, sipas saj, ka tkurrur në maksimum votat e kësaj force dhe që ka të bëjë me shpalljen të pavlefshme të një numri të konsiderueshëm fletësh votimi.
Për të vërtetuar këtë pretendim, kjo forcë i kërkon KQZ-së që të marrë në cilësinë e provës materiale të gjitha fletët e votimit të kësaj zone, për të bërë rivlerësimin e tyre, si dhe kasetat apo CD-të me pamjet filmike që janë regjistruar nga sistemi i kamerave.
Bazuar në këto argumente, PR-ja kërkon nga KQZ-ja që të rrëzojë tabelat e rezultateve të miratuara nga KZAZ-të 1, 2 dhe 3, si dhe të bëjë rivlerësimin e votave. Për këtë qark priten kontestime edhe nga Partia Socialiste, e cila kundërshton një numër prej rreth 3200 votash, që ishin në favor të saj, por që u konsideruan si të pavlefshme.