Numri i aksidenteve fatale nuk ka të ndalur
Një 52-vjeçar ka humbur jetën, si pasojë e goditjes që mori nga një veturë në rrugën “Uilliam Uoker” në Prizren, njoftoi policia rajonale në Prizren.
Zëdhënësi i policisë, Hazir Berisha, ka thënë se aksidenti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të ditës së enjte, me ç’rast nga një shofer i pakujdesshëm është goditur një kalimtar i cili po kalonte rrugën në vendin e shënuar për këmbësor.
“I lënduari është N. Bytyçi 52-vjeçar i cili me urgjencë është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor. Pas ndihmës së parë në emergjencën e spitalit, viktima është dërguar në QKUK, mirëpo jeta e tij nuk ka mundur të shpëtohej dhe mjekët kanë konfirmuar vdekjen”, ka thënë ai.
Hetues të Trafikut Rajonal kanë kryer procedurat hetimore dhe kanë arrestuar shoferin.
Ndryshe, ditëve të fundit në Kosovë është shtuar numri i aksidenteve fatale ku ka pasur shumë të vdekur dhe të lënduar, ndërkohë që Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar.