E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shtrëngon NATO

NATO i ka shpallur dy pikat kufitare në Veri zona të kufizuara ushtarake, pak orë pasi ushtarë të KFOR’it kanë marrë kontrollin mbi to. Gjenerali Erhard Buhler ka tërhequr vërejtjen se forcat paqeruajtëse mund t’i përdorin edhe armët. Në Veri është përforcuar edhe EULEX’i. Nga Nebih Maxhuni më 29 korrik 2011 në ora 08:07

Forcat e KFOR-it kanë marrë kontrollin mbi dy pikat kufitare në Veri të Kosovës dhe do të qëndrojnë atje deri sa të jetë e nevojshme.
“KFOR-i ka marrë përgjegjësinë për kontrollin e kufirit dhe zyrtarisht dy pikat kufitare janë të mbyllura. Atje kam dërguar edhe përforcime shtesë me ushtarë, ku kemi prezencën edhe të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës”, ka thënë komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, pasdite në Mitrovicë. Në një intervistë për Reuters, ndërkaq, Buhler ka thënë se NATO i ka shpallur dy vendkalimet kufitare në Veri zona të kufizuara ushtarake.
“Nuk mund të përjashtoj ndonjë përpjekje tjetër, por natyrisht, të dyja portat janë shpallur si zona të kufizuara ushtarake, ndërsa rregullat për të shtënë janë shumë të qarta”, ka thënë Buhler. “Ushtarët mund të përdorin forcë vdekjeprurëse, mund t’i përdorin armët e tyre për tu vetëmbrojtur, për të mbrojtur të gjithë njerëzit, për ta mbrojtur pronën, zonën e kufizuar ushtarake. Askush që nuk është i autorizuar të punojë në porta apo t’i kalojë portat, nuk guxon të jetë pranë portave”, ka shtuar ai.
Sipas tij, megjithëse zyrtarisht dy pikat kufitare janë të mbyllura, për lehtësimin e qarkullimit të njerëzve po lejohen veturat të lëvizin, por me një kontroll shumë të rreptë për shkaqe të sigurisë.

Trupa të forcës paqeruajtëse kanë zbarkuar gjatë gjithë ditës së enjte, duke e shtrënguar Veriun, ndërkohë që paradite është njoftuar se pika kufitare në Jarinje është mbyllur për lëvizjen e automjteve të mëdha, ngase infrastruktura është rëndë e dëmtuar dhe ka mundësi të shembjes. Por, automjete të vogla civile kanë kaluar kufirin, duke bartur vetë përgjegjësinë për rrezikun. Në këtë pikë, forcat paqeruajtëse do të qëndrojnë derisa të rregullohet edhe infrastruktura e djegur dhe shkatërruar nga serbët. “Kamionët nuk janë të lejuar të futen. Në pikën 31 në Brnjak, kontrollet gjithashtu janë shumë të rrepta, për shkak të sigurisë”, ka njoftuar KFOR-i.
Shefi i Zyrës për Informim të EULEX-it, Nicholas Hawton ka deklaruar se KFOR-i po ndihmohet edhe nga Policia Speciale e misionit evropian. E komandanti i paqeruajtësve, Erhard Buhler, ka thënë se situata në Veri mbetet e tensionuar. Pas një takimi me shefin e ekipit negociator serb Borislav Stefanovic, ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic dhe përfaqësues ndërkombëtarë e të strukturave paralele, pasditen e të enjtes, Buhler ka theksuar se përgjegjësit për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe ata për djegien e pikës kufitare në Jarinje duhet të përgjigjen para drejtësisë. Ai u ka kujtuar të gjithë ekstremistëve se detyra e tij është e qartë: t’i mbrojë qytetarët, pikat kufitare dhe objektet e KFOR-it dhe të organizatave të tjera. Buhler ka thënë, po ashtu, se asnjë pjesëtar i Njëisë Speciale të Policisë së Kosovës nuk ndodhet në Veri.

Porosia e Buhlerit

Erhard Buhler iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë sa më larg gupeve ekstremiste. “Ne apelojmë te të gjithë qytetarët e Kosovës që të rrinë sa ma larg grupeve ekstremiste. Ne jemi të gatshëm që me EULEX-in të marrim masa shumë të rrepta ndaj ekstremistëve. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen nga thashethemet, por le të na lejojnë që për sigurinë e tyre të përkujdesemi ne, KFOR-i dhe EULEX-i”.
Sipas Buhlerit, “qytetarët e rëndomtë dhe përfaqësuesit politikë janë të brengosur për atë që ka ndodhur dhe kjo është një shenjë pozitive”.
“Zëvendësi im sot ka qenë në Serbi dhe ka biseduar me palën serbe që të mos lejojnë futjen e ekstremistëve. Kemi indikacione se në këtë grup radikal nuk kanë marrë pjesë qytetarë nga Zubin Potoku, por këtu bëhet fjalë për një grup ekstrem dhe radikal. Edhe Qeveria e Serbisë është e interesuar që t’i kapë dhe t’i arrestojë vandalët e mbrëmshëm”.
Sipas gjeneralit, dorasit dhe kriminelët duhet të kapen dhe të burgosen. “Ky është mendimi i të gjithëve, këtu përfshihen edhe sulmuesit që bënë një akt qyqar, duke vrarë policin e Kosovës”.
Rrugët magjistrale që çojnë në të dy pikat kufitare kanë qenë të bllokuara nga serbët lokalë, në Rudare të Zveçanit dhe Zupç të Zubin Potokut. “Por për ne nuk është problem dhe ne i kemi toleruar sot këto dy bllokime, pasi që mund të kalojmë”, ka theksuar Buhler.

Mediat serbe e kanë cituar Borislav Stefanovicin të ketë thënë se ka marrë disa garanci nga KFOR-i. “Pavarësisht situatës aspak të favorshme, në të cilën na kanë sjellë ekstremistët me djegien e Jarinjes, kemi marrë garanci të forta se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk do të vijë këtu dhe as nuk do të ketë përpjekje për sjelljen e shërbyesve shqiptarë në pikat administrative”, ka thënë ai pas një takimi tjetër me komandantin Erhard Buhler, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Në anën tjetër, forcat policore serbe kanë përforcuar kontrollet në pikat kufitare, në anën e Serbisë. “Do të ndalojmë ekstremistët nga Serbia për të shkuar në Kosovë. Ne do të ndihmojmë paqeruajtësit ndërkombëtarë në të gjitha mënyrat e mundshme”, ka cituar Reuters shefin e Policisë serbe, Milorad Veljovic.
Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, ka thënë se pas incidenteve të së mërkurës do të kalojë kohë e gjatë që shqiptarët të mos kalojnë nëpër pikat kufitare në veri dhe, nëse do të kalojnë, kjo do të ndodhë si rrjedhojë e bisedimeve. Ndërkaq, Qeveria e Serbisë ka dënuar çfarëdo forme të dhunës në Kosovë dhe iu ka bërë thirrje misioneve ndërkombëtare që të mos lejojnë veprime të njëanshme të autoriteteve të Prishtinës, që kanë për qëllim “ndryshimin e realitetit dhe të strukturës etnike”.

KFOR demanton EULEX’in

Në pikën kufitare 31, në Brnjak afër Zubin Potokut, qarkullimi i njerëzve dhe mallrave është zhvilluar pa problem. Njoftimet gjatë ditës kanë qenë se kontrolli është kryer nga policë dhe doganierë kosovarë, serbë e shqiptarë.
Por, shefi i Zyrës për Informim të EULEX-it, Nicholas Hawton ka thënë se në këtë pikë, ashtu si dhe në Jarinje, gjenden vetëm pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë Speciale të EULEX-it, ndërkaq nuk ka as policë e as doganierë të Kosovës.
“Se a do të ketë ndonjë ndryshim të gjendjes, për këtë nuk jam i sigurt. Këtë mbetet ta shohim, por këto pika për momentin janë të kontrolluara nga KFOR-i dhe EULEX-i”, ka theksuar Hawton për RTK.
Megjithatë, Hawton është demantuar nga Buhler. Sipas tij, zyrtarët e Doganave të Kosovës janë të vendosur në pikën 31 në Brnjak, ndërsa për vendosjen e tyre në pikën 1 në Jarinje nevojitet kohë, pas djegies së infrastrukturës.
Ndërkohë, mbrëmë vonë KFOR-i ka arritur ta zhbllokojë rrugën që lidhte pikën kufitare 31 me Mitrovicën, e cila ishte bllokuar prej 25 korrikut. Klan Kosova ka rapotuar se menjëherë pas kësaj serbët lokalë janë mbledhur sërish tek rruga dhe ka pasur edhe të shtëna armësh.

Katër orë takim

Takimi i komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë – shefin e ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic dhe ministrin për Kosovën, Goran Bogdanovic është mbajtur në Zubin Potok dhe ka zgjatur katër orë, pa kurrfarë pauze. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Fernando Gentilini, zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparks, kryetari i Komunës paralele të Zubin Potokut, Slavisa Ristic dhe kryeshefi i të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës, Radenko Nedeljkovic. Takimi është mbajtur në ndërtesën e Komunës paralele të Zubin Potokut. Borislav Stefanovic është shprehur i pakënaqur me takimin. “Është e qartë se KFOR po del jashtë kornizave të Rezolutës 1244”, iu ka thënë Stefanovic banorëve të fshatit Zupç, pas takimit. Sipas tij, dikush nga bashkësia ndërkombëtare po përpiqet ta përkrah vendimin e Prishtinës. Ai ka pranuar se bisedimet kanë qenë të rënda dhe të gjata dhe do të vazhdojnë edhe të premten. E Erhard Buhler, nga Mitrovica, ka theksuar se Stefanovic ka dhënë një kontribut të madh në qetësimin e situatës.

Përforcohet Mitrovica

Masat e sigurisë janë shtuar edhe në Mitrovicë. Për shkaqe sigurie. Gjatë ditës, KFOR’i ka bllokuar për qarkullimin e automjeteve urën kryesore mbi lumin Ibër, ndërkaq për lëvizje të qytetarëve ka qenë e lirë. Po ashtu, është shtuar edhe prania e Policisë së EULEX-it në afërsi të objekteve të gjykatave në veri të qytetit.
Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës së Mitrovicës në një takim të jashtëzakonshëm ka mbështetur masat që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren për shtrirjen e autoritetit shtetëror në tërë territorin e vendit.

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, ka thënë se me gjithë tensionet e shtuara, situata e sigurisë është e qetë, falë masave të shtuara që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës dhe angazhimit të njësive të KFOR-it, “si dhe sjelljes dinjitoze të qytetarëve, të cilët nuk janë bërë pre e dezinformatave të shumta”.
Sipas tij, në lagjet veriore të qytetit, të banuara me shqiptarë, ka pasur një shtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, me qëllim që atje të ketë siguri e rend për të gjithë dhe të shmangen incidentet eventuale.

Përfaqësuesi i drejtorisë rajonale të Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se gjendja në lagjet veriore ka filluar të tensionohet pas zhvillimeve që ndodhen pikën kufitare në Jarinje, por nuk janë shënuar incidente.
“Policia e Kosovës, duke vërejtur shqetësimin e banorëve jo serbë në lagjet veriore, të cilët kishin parë lëvizje të pazakonshme dhe grupe të armatosura të qytetarëve në lagjet e tyre, ka ndërmarrë masa shtesë për sigurinë e tyre”, ka thënë Zahiti.
Sipas tij, edhe në fshatrat shqiptare të komunave të administruara nga serbët, policia ka qenë e pranishme 24 orë, ndërkohë që herë pas here kanë patrulluar edhe pjesëtarët e KFOR-it.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton ka thënë se edhe Policia e EULEX-it i ka përforcuar patrullimet në veri.

Veteranët apelojnë për qetësi

Duke parë interesimin dhe kërkesën e veteranëve të luftës për mobilizim, me qëllimin që të japin mbështetje për Policinë e Kosovës në mbrojtje të vendit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së iu ka bërë thirrje të gjithë bashkëluftëtarëve të mbajnë qetësi dhe mos të bien pre e provokimeve nga grupet e ndryshme. “Ne jemi në përcjellje të vazhdueshme të zhvillimit të ngjarjeve dhe për çdo gjë do të ju informojmë me kohë”, thuhet në një deklaratë të kësaj organizate.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›