E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuri: Çdo efektiv që ka ushtruar dhunë të paligjshme duhet të mbajë përgjegjësi

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Franc Nuri, denoncoi sot dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve, mes tyre gjimnazistë, studentë dhe qytetarë.

Në një deklaratë për mediet, ai tha se gjatë protestës janë regjistruar raste të goditjes me shkopinj gome, tërheqjes zvarrë dhe keqtrajtimit të personave të rrëzuar në tokë. Sipas tij, shqetësuese janë edhe raportimet për dhunë ndaj të miturve të shoqëruar në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”.

“Në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, sipas denoncimeve, mbahen dhjetëra protestues, mes tyre shumë të mitur, në kushte të rënda! Raportohet për të rinj të rrahur e të dhunuar, si dhe për autoambulanca që hyjnë e dalin nga ambientet e ndalimit”, tha ai.

Përfaqësuesi i PD-së u ndal gjithashtu edhe tek ndërhyrjet ndaj gazetarëve dhe fotoreporterëve.

Ai i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të garantojë respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe të mos lejojë akte të paligjshme nga efektivët.

“Uniforma nuk ju jep të drejtën të dhunoni qytetarët! Asnjë urdhër politik apo administrativ nuk ju përjashton nga përgjegjësia ligjore! Çdo efektiv që ka ushtruar dhunë të paligjshme, çdo drejtues që e ka urdhëruar, lejuar apo mbuluar atë, duhet të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi deri në fund! Asnjë shkop gome, asnjë goditje pas shpine, asnjë akt arbitrar nuk duhet të mbetet pa hetuar dhe pa ndëshkimin që parashikon ligji!”, tha ai.

Partia Demokratike, tha Nuri, kërkon nisjen e një hetimi penal të pavarur, identifikimin e përgjegjësve dhe ruajtjen e të gjitha provave filmike.

Nuri bëri të ditur PD-ja do t’ua përcjellë pamjet dhe dëshmitë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe institucioneve europiane, duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit.

/m.q/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›