Përshkallëzohet situata përballë Kryeministrisë, protestuesit përplasje me policinë, i vënë flakën autoboteve dhe një makine

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Pas qëndrimit për katër orë përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, në ditën e pestë të tubimeve ku kërkohet ndryshimi i klasës politike si dhe krijimi i kushteve për moslargimin e të rinjve nga vendi.
Protestuesit ndodhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë që sërish ka tensione mes tyre dhe Policisë.
Mjetet e policisë hodhën ujë me presion dhe gaz lotsjellës pasi protestuesit arritën pranë perimetrit të sigurisë. Të rinj me maska vijuan hedhjen e gurëve në drejtim të policisë.
Gjithsesi, qytetarë dhe të rinjtë të cilët prinin turmën, mes të cilëve edhe të maskuar, vijuan marshimin drejt sheshit përpara Kryeministrisë, ku ishin vendosur edhe forca të shumta të rendit.
Në pika të ndryshme të bulevardit u krijuan zjarre nga lëndët piroteknike.
Policia nisi shoqërimin e protestuesve pasi i zmbrapsi ata nga bulevardi.
Protestuesit hodhën molotovë drejt Policisë, të cilët ranë mbi dy autobotet e ujit të policisë, duke marrë edhe flakë. Ata i vunë flakën edhe një automjeti të vogël, që u soll prej tyre në bulevard.
Përpara Kryeministrisë mbërriti edhe një autoambulancë, e cila mori një qytetar që ishte lënduar.
Situata vijoi të përshkallëzohej me protestuesve dhe forcave të Policisë, duke shkaktuar momente tensioni. Protestuesit po vijuan me hedhjen e gurëve dhe fishekzjarreve, ndërsa Policia u kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.
Aktualisht protestuesit vijuan të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke hedhur gurë në drejtim të forcave të policisë.
Policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës nga të gjitha drejtimet kundrejt protestuesve, ndërsa në bulevard mbërriti edhe një autobot i katërt.
Në vendngjarje ndodhej edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita. Ndërkohë që Forca e Policisë ndërhynë drejt protestuesve për t’i shpërndarë.
Një pjesë e protestuesve iu drejtuan rrugës “Myslym Shyri”, ndërsa një pjesë tjetër iu drejtua zonës së ish-Bllokut, të ndjekur nga forcat e Policisë.
Protestuesit sulmuan me gurë e molotovë edhe Autoritetin e Sigurisë Kibernetike, në muret rrethuese të godinës, ku ndodhen pemë dhe bimësi që morën flakë.
Protesta e të rinjve vijoi edhe sot për të pestën ditë radhazi. Ata po protestojnë kundër klasës politike në vend. Rreth mesditës nisën aktet e para të dhunës ndërsa protestues të maskuar shkulën kangjellat pranë Ministrisë së Arsimit dhe i vendosën në mes të rrugës.
Protestuesit para Kryeministrise, foto: Florian Abazaj 1 nga 64/k.s/r.e/