E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit e 9-vjeçareve infektohen nga morrat

Lorina Mixha

Tiranë, shkollat e qendrës njoftojnë prindërit të marrin masa, më pas të kthejnë fëmijët në shkollë

Lorina Mixha

Nxenes shkolleVitet 1980 po kujtohen shpesh këto kohët e fundit, kryesisht nga prindërit që kanë në shkolla fëmijët. Në këtë kohë, i vetmi sapun, ai i Rrogozhinës, përdorej në masë edhe për të larë kokën.

Në këto vite, fëmijët në fshat e në qytet, në zona të thella por edhe në kryeqytet fëmijët në kopshte e shkolla prekeshin rëndom nga morri dhe thërrizat. Asokohe gjyshet dhe nënat përdornin vajgurin si dezinfektant dhe krihnin kokat e të vegjëlve me pajisjen e njohur si krehër morrash. Aktualisht shkollat 9-vjeçare në kryeqytet kanë probleme me infektimin nga parazitët. Disa nga institucionet arsimore, kryesisht të qendrës kanë raportuar pranë Drejtorisë së Higjienës por edhe pranë Drejtorisë Arsimore probleme për shkak të infektimit të fëmijëve nga thërrizat.

Problemi

Morrat në kokat e fëmijëve po shpërndahen nga njëri nxënës te tjetri, prandaj drejtoritë e shkollave por edhe mjekët e atashuar pranë këtyre institucioneve kanë kërkuar nga prindërit e fëmijëve të infektuar për të pastruar fëmijët e më pas për ti sjellë ata sërish për mësim.

Më të vjetrit thonë se morrat shfaqen atje ku ka varfëri. Djali më ka zënë parazitë dhe nuk duhet ta çoj në shkollë se nuk ma pranojnë deri sa të pastrohet. Edhe shokët e tij kanë zënë, thotë një nënë e re nga Tirana. Fëmija në klasë të katërt ka zënë morra dhe aktualisht mëson në një nga shkollat e qendrës së kryeqytetit.

Ky është sezoni i dytë i shfaqjes së morrit në shkolla. Gjashtë muaj më parë, gazeta Shqip denoncoi shqetësimin e prindërve dhe të drejtuesve të shkollave për fazën e parë të infektimit të fëmijëve në shkolla për këtë vit shkollor.

Drejtoria e Higjienës nuk konfirmon se problemi është shqetësues. Sipas specialistëve të këtij sektori, hera-herës regjistrohen edhe fëmijë të prekur nga parazitët, por problemi nuk mund të konsiderohet alarmant.

Zgjidhja

Për fëmijët e shkollave ku janë konstatuar parazitët, mjekët kanë njoftuar prindërit, mësuesit dhe kanë dhënë direktivat dhe udhëzimet për të mos përhapur parazitin si dhe për të pastruar kokat e nxënësve të prekur nga morrat.

Ndër masat e këshilluara edhe nga drejtoritë e higjienës janë përdorimi i shampove dhe solucioneve, preparate të posaçme për të luftuar parazitët duke zbatuar dozën, kohën dhe udhëzimet për zhdukjen e morrave. Aktualisht në treg gjenden shampo dhe solucione të cilat duhet të përdoren gati për dy javë me radhë të cilat bëjnë pastrimin nga parazitët apo shkatërrimin e foleve të morrave në flokët e vogëlushëve. Prindërit këshillohen të kontrollojnë periodikisht fëmijët dhe të mos përdorin metoda popullore, si në rastin e lyerjes së kokës me vajgur pa ditur dozën e saktë, kjo mund të shkaktojë probleme me lëkurën e kokës së fëmijëve.

Nxënësit e 9-vjeçareve infektohen nga morrat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›