Privatizohen plehrat, nga kazanët në Sharrë
Shërbimi do të administrohet nga privati, gati projekti në Bashkinë e Tiranës
Lorina Mixha
Menaxhimi i mbeturinave të qytetit pritet të jepet si shërbim me koncesion. Privatizimi i këtij sektori do të bëhet brenda këtij viti, sipas iniciativës dhe projekteve të parashikuara nga bashkia për këtë vit. Konkretisht është mbyllur projektdrafti për fazën e parë të projektit të privatizimit të shërbimit, janë dhënë paratë e para për studimin dhe parashikimin e modaliteteve për zbatimin e një iniciative të tillë, ndërkohë që janë planifikuar edhe disa prej detajeve që do të përfshijë ndryshimin. Parlamenti vendor miratoi fondin 120 mijë dollarësh si detyrim që rrjedh nga marrëveshja e konsulencës me Korporatën Ndërkombëtare Financiare, e cila synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta dhe induksionin në këtë shërbim të sektorit privat në Qytetin e Tiranës. Bashkia e kryeqytetit, në listën e punëve për këtë vit, ka parashikuar ndryshimin dhe përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, nga kazani i mbeturinave ku ne hedhim çdo ditë mbetjet e familjeve e deri te transporti dhe depozitimi i tyre në landfillin e Sharrës.
Futja e shërbimeve dhe e standardeve të reja për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve, duke përfshirë të gjithë territorin e bashkisë, është një nga standardet e para që do të kërkohen nga subjektet që do të aplikojnë për koncesionin e Sharrës.
Një tjetër kusht do të jenë investimet kapitale, të cilat do të mbulohen nga ky investitor, duke shmangur prekjen e buxhetit të bashkisë për këtë qëllim, si dhe rreziku i kostove shtesë për zgjatjen apo tejkalimin e afateve kohore do të jetë detyrim dhe do të mbulohen nga vetë operatori
Rreziku mbi ndotjen ambientale në të ardhmen janë detyrim i operatorit të ri. Koncepte dhe investime të reja do të aplikohen nga operatori i ri, me qëllim ndarjen e mbetjeve në burim dhe ripërdorimin e tyre duke minimizuar sasitë që do të depozitohen në të, sqarohet në projektin e bashkisë së kryeqytetit.
Tërësia e privatizimit projekton menaxhimin dhe administrimin e punës kryesisht në landfillin e Sharrës, por për të ofruar një paketë të plotë ndryshimi, sipas projektit të bashkisë, pritet që gjithçka të jetë e organizuar sipas një protokolli të përcaktuar qartë. Ky do të jetë edhe hapi i parë i zbatimit të ligjit për menaxhimin e mbetjeve, kompetencë e pushtetit vendor për funksionimin e tyre. Ndërkohë që në dhjetor të vitit të kaluar, kreu i bashkisë, Lulzim Basha, ka sqaruar se janë dhënë para për nisjen e punës lidhur me menaxhimin e mbetjeve të ngurta. Sipas ekspertëve të pushtetit vendor, aktualisht ekziston një nevojë urgjente për përmirësimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbane për qytetin e Tiranës. Shërbimi aktual realizohet i fragmentuar dhe i nënkontraktuar te një numër relativisht i lartë operatorësh privatë, të cilët jo të gjithë kanë eksperiencën e duhur dhe respektojnë rigorozisht standardet e kërkuara dhe kërkon një kosto relativisht të konsiderueshme për buxhetin aktual të bashkisë.
Vlen të theksojmë se nga studimet aktuale të realizuara, konstatojmë se shërbimi i depozitimit dhe i shkatërrimit të mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës, pavarësisht investimeve të realizuara në këtë landfill në funksion të ritmeve të depozitimit në të, si dhe të afateve kohore mjaft përcaktuese për këtë shërbim, na bëjnë që ne të vlerësojmë seriozisht nevojat për fuqizimin e këtij landfilli me kapacitete të reja depozituese. Duhet të theksohet fakti se afati kohor i parashikuar edhe mbas ndërhyrjes së fundit në Sharrë, parashikonte një limit kohor shfrytëzimi deri në 7 vjet. Duke llogaritur kohën kur ky landfill ka filluar të shfrytëzohet, rezulton se koha e mbetur mund të shkojë maksimumi deri në fund të vitit 2014-2015, thuhet në relacionin e përgatitur nga ekspertët e bashkisë.
Sipas tyre, tregu aktual ka potenciale të konsiderueshme që janë të interesuara të investojnë në përmirësimin e këtij shërbimi, duke ndërtuar forma të ndryshme bashkëpunimi në kuadër ekonomik, njëra nga të cilat është dhënia e këtyre shërbimeve në formën e partneritetit publik privat.
Privatizohen plehrat, nga kazanët në Sharrë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email