E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit i bashkohen Aksionit të Pastrimit Kombëtar në 16 pika përgjatë vijës bregdetare

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Aksionit të Pastrimit Kombëtar të territorit i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollave në të gjithë vendin, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar.

Në kuadër të kësaj nisme, qindra nxënës zhvilluan aktivitete pastrimi dhe edukimi mjedisor në 16 pika përgjatë vijës bregdetare, duke e kthyer këtë angazhim në një orë mësimore të hapur në natyrë.

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vlerësoi pjesëmarrjen e të rinjve, duke theksuar se edukimi për mjedisin duhet të nisë që në bankat e shkollës dhe të shoqërohet me veprime konkrete në terren.

“Një shishe e mbledhur, disa mbeturina të pastruara dhe ora e sotme e edukimit mjedisor u zhvillua në natyrë për qindra nxënës të shkollave tona, të cilët iu bashkuan aksionit ‘Pastrimi Kombëtar’ në 16 pika përgjatë bregdetit, duke kontribuar drejtpërdrejt për një mjedis më të pastër dhe duke mësuar përmes veprimeve konkrete”, u shpreh Kumbaro.

Ajo theksoi se përfshirja e nxënësve në nisma të tilla ndihmon në formimin e një kulture të qëndrueshme për mbrojtjen e natyrës dhe në ndërtimin e një përgjegjësie të përbashkët ndaj mjedisit.

Aksioni i Pastrimit Kombëtar është shtrirë në disa zona të rëndësishme të vendit, nga Divjaka dhe laguna e Karavastasë deri në bregdetin e jugut, përfshirë Dhërmiun dhe Drimadhën, ku institucione, pushteti vendor, vullnetarë dhe komuniteti lokal po punojnë së bashku për të garantuar një mjedis më të pastër dhe një sezon turistik cilësor.

Institucionet bëjnë apel për vazhdimin e angazhimit qytetar, duke theksuar se ruajtja e pastërtisë nuk është vetëm një aksion i përkohshëm, por një standard i përditshëm që i shërben zhvillimit të qëndrueshëm dhe imazhit të Shqipërisë.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›