E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësve të Gjilanit po u prishën dhëmbët

Nuk u kontrolluan të gjithë nxënësit, por ata që i vizitojë mjeku, gjysmën e tyre i identifikojë më probleme të dhëmbëve.

Në kontrollin stomatologjik janë përfshirë 4143 nxënës dhe 2099 prej tyre kanë pasur karies të dhëmbëve, 482 raste kanë qenë me dhëmbë të nxjerrë, 771 me dhëmbë të bllombuar, 187 me dhëmbë të munguar, 59 me fraktura të dhëmbëve, 330 me anomali ortodontike, ndërsa 380 të tjerë pa veçori.

Drejtori i QKMF-së, që ka qenë bartëse e projektit, dr Valbon Milazimi, ka prezantuar rezultatet e këtij vlerësimi, në një mbledhje të Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Në projektin e vlerësimit të gjendjes shëndetësore të nxënësve të shkollave të Gjilanit, janë përfshirë mbi 4700 fëmijë të klasave të para, pesta dhe nënta

Me pedikulozë janë identifikuar 357 raste, 24 me zgjebe, 11 raste me strabizëm, po kaq me aftësi të kufizuara, 2 me sindromin “daun”, 38 me pengesa në të folur, 4 me sëmundjen e autizmit, një me deviacion të hundës, një tjetër me mungesë të dorës, një me ngecje në zhvillim trupor, një shurdhmemec, ndërsa 7 me vështirësi në dëgjim, 112 me syze, 2 me mbitension, 24 anemik, me hipertrofi të tonzillave - 39, me mbipeshë 20, ndërsa me nënpeshë – 19 nxënës.

Në të gjithë parametrat vlerësues, pos te pedikuloza dhe pengesat në të folur, më të prekur janë fëmijët e qytetit, sidomos me karies, ka thënë doktor Milazimi.

“Rasteve me pedicullozë dhe zgjebe u është dhënë menjëherë terapi, ndërsa rastet me probleme tjera shëndetësore janë referuar te specialistët përkatës për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë ai.

Krahasuar me një projektet e realizuara më 2005 dhe 2008, ku ishin përfshirë, ka ulje të madhe të rasteve me pediculozë dhe zgjedhe.

Bajram Shaqiri, kryesues i KSHMS, ka thënë se QKMF-ja ka bërë një punë shumë të me këtë projekt, ndërkohë që e ka vlerësuar të nevojshme të punohet në ngritjen e vetëdijes shëndetësore të popullatës, pasi që disa sëmundje janë më të theksuara në fshat e disa në qytet. Një parametër interesant, sipas tij, është ai i përdorimit të syzeve, për faktin se është identifikuar vetëm në shkollat e qytetit.

Xhemajl Salihu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se gjendja e përgjithshme shëndetësore e nxënësve të shkollave, doli më mirë se sa është menduar. Sa i përket kariesit, me të cilin janë evidentuar 2099 nxënës, Salihu, duke qenë specialist i stomatologjisë, ka thënë se kjo është sëmundje e shekullit.

“Detyra jonë është që rastet e identifikuara, tani t`i trajtojmë dhe fëmijëve t`ua shpëtojmë dhëmbët nga shkatërrimi. Në shkollat e qytetit punojnë dy ambulanca stomatologjike, ku mund të trajtohen këta fëmijë, ndërsa mbetet që në fshatra ta organizojmë një shërbim dental lëvizës”, ka thënë Salihu. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›