Zgjerohen hetimet në Komunën e Prizrenit

Dyshimet për keqpërdorime në Komunën e Prizrenit veç po rriten. Edhe Prokuroria Themelore e kësaj komune ka nën llupë të saj zyrtarë komunalë. Punëtorët e Ramadan Mujës po hetohen për keqpërdorime të detyrës zyrtare që kanë të bëjnë me disa mbindërtime.
Në këto dyshime është edhe drejtori i Urbanizmit. Muja dhe pesë zyrtarë e tjerë komunalë tashmë kanë një aktakuzë nga EULEX’i.
Nuk është veç Prokuroria e EULEX-it që ka dyshime tek zyrtarët e Komunës në Prizren. Edhe Prokuroria Themelore është duke hetuar disa zyrtarë të kësaj komune.
Rastet për të cilat po hetohen zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë të bëjnë me çështje të tjera dhe nuk kanë lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e EULEX-it. Kryeprokurori Sylë Hoxha ka konfirmuar për Express se nën hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë edhe disa zyrtarë komunalë, por pa përmendur ndonjë emër./Indeksonline/