Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar

TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Policia e Beratit ka arrestuar në flagrancë 3 persona të cilët dyshohet se nxirrnin me ekskavatorë gurë dekorativë në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorrit.
Policia njofton se pas kontrolleve të ushtruara një ditë më parë, ka arrestuar në flagrancë B. L., 49 vjeç, (administrator subjekti), F. L., 42 vjeç, (vëllai i administratorit), Sh. L., 43 vjeç, (kushëriri i tij), të tre banues në Berat.
Sipas policisë gjatë kontrollit në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit, janë konstatuar duke larguar mjetin ekskavatorë, të cilin dyshohet se e përdornin për të nxjerrë gurë dekorativë.
Po ashtu janë shpallur në kërkim 5 administratorë subjektesh të tjerë, konkretisht shtetasit L. Q., E. Q., B.L., D. L., dhe N. T., pasi dyshohet se kanë nxjerrë pllaka guri dekorative, në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit.
Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit L. H., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i AZDM Berat, dhe F. N., 55 vjeç, (specialistë në AZDM Berat), të dy banues në Berat.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”.
/a.f/