“Nxorri nga burgu” vëllanë e Suel Çelës/ Balla padit për shpifje Berishën

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka paditur për shpifje kreun e PD-së, Sali Berisha.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha akuzoi Ballën se kishte nxjerrë nga burgu Marion Çelën, vëllain e Suel Çelës.
Kreu i PD-së i referohej një “mesazhi nga qytetari dixhital”, që theksonte se “Balla ka nxjerrë nga burgu i Peqinit vrasësin e rrezikshëm Mario Çela dhe e ka dërguar në një dhomë urgjence në spitalin e Elbasanit”.

Balla vetëm një ditë më pas e ka paditur për akuzat e “Fyerjes” dhe “Shpifjes te kryer boterisht”, parashikuar nga neni 119/2 dhe 120/2 i Kodit Penal.
Ndërkohë, mësohet se, Mario Çela ndodhet në spitalin e Burgut në Tiranë që prej 20 shkurtit.
Kush është Mario Çela?
Mario Çela, 37 vjeç, i lindur në Elbasan, u ekstradua në shkurt të këtij viti nga Belgjika në Shqipëri, me qëllim për tu përballur me drejtësinë shqiptare.
Çela është vëllai i Marjus Lulaj, i njohur si Suel Çela, kreu i një prej organizatave kriminale më të mëdha që vepronin nga Elbasani me shtrirje në Europë dhe Amerikën Latine.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Gjykata e Posaçme i kishte caktuar më 22 nëntor 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Organizata kriminale”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”.
Arrestimi i tij në Belgjikë ishte pjesë e një operacioni më të gjerë të SPAK, ku u lëshuan 21 urdhër-arreste ndaj anëtarëve të dyshuar të organizatës kriminale, përfshirë ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe Gjykatës së Elbasanit.
