E Diel, 1 Nëntor 2026

OBP nis trajnimet për përdorimin e platformës së prokurimeve

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur nisjen e ciklit të trajnimeve të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP) për përdorimin e platformës prokurimet.obp.al.

Sipas Ibrahimajt, trajnimet synojnë njohjen e institucioneve kontraktore me funksionalitetet e platformës dhe lehtësimin e procesit të paraqitjes së kërkesave për prokurim.

Gjatë sesioneve, përfaqësuesit e institucioneve njihen me hapat për krijimin dhe administrimin e kërkesave, plotësimin e informacionit dhe dokumentacionit përkatës, si dhe dërgimin dhe ndjekjen e statusit të tyre në sistem.

Në kuadër të trajnimeve zhvillohen edhe demonstrime praktike të funksioneve kryesore të platformës dhe sesione pyetje-përgjigje për adresimin e çështjeve teknike dhe procedurale.

Ibrahimaj theksoi se platforma prokurimet.obp.al përbën një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe standardizimit të komunikimit ndërmjet OBP-së dhe autoriteteve kontraktore, duke synuar rritjen e efikasitetit, transparencës dhe gjurmueshmërisë në administrimin e kërkesave për prokurim.

Ministrja informoi se, OBP do të vijojë organizimin e trajnimeve dhe ofrimin e mbështetjes për institucionet, me qëllim garantimin e një përdorimi sa më të thjeshtë dhe efektiv të platformës.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›