E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjeti elektrik drejt teknologjisë inteligjente, OSSH zgjeron investimet

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Monitorimi më i avancuar i rrjetit dhe kontrolli i konsumit janë në fokus të investimeve që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka planifikuar për periudhën 2026-2027, në kuadër të modernizimit të infrastrukturës së energjisë elektrike.

OSSH bën të ditur se, një prej drejtimeve të programit është forcimi i kapaciteteve për analizimin e sistemit elektrik përmes përditësimit të platformës PowerFactory. Teknologjia do të përdoret për analiza të rrjetit dhe për vlerësimin e nevojave të tij në perspektivë, duke mbështetur planifikimin e investimeve të ardhshme.

Në të njëjtën kohë, OSSH planifikon të vendosë në funksion sisteme lokale SCADA në 14 nënstacione. Përmes tyre, pajisjet dhe parametrat e rrjetit mund të ndiqen dhe kontrollohen në distancë, duke mundësuar një reagim më të shpejtë dhe menaxhim më të mirë të infrastrukturës.

Pjesë e modernizimit është edhe zgjerimi i matjes inteligjente. Matësit e rinj do të instalohen te konsumatorët fundorë që furnizohen nga kabina të pajisura me sisteme inteligjente të matjes.

Sipas OSSH-së, kjo ndërhyrje pritet të sjellë të dhëna më të sakta mbi konsumin dhe të ndihmojë në evidentimin dhe kontrollin e humbjeve në rrjet, si ato teknike, ashtu edhe joteknike.

Investimet teknologjike janë pjesë e një programi më të gjerë që përfshin edhe nënstacionet, linjat e tensionit të lartë e të mesëm dhe rrjetet TM/TU.

Në dokumentin e paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë, OSSH sqaron se ndryshimet në plan nuk lidhen me uljen e standardeve teknike. Sipas operatorit, rishikimi ka të bëjë kryesisht me afatet e zbatimit dhe kostot, me qëllim përshtatjen e projekteve me nevojat konkrete të rrjetit.

Modernizimi i sistemeve të monitorimit, analizës dhe matjes synon të krijojë një rrjet më të mirëmenaxhuar dhe më të aftë për të përballuar nevojat e ardhshme të konsumatorëve dhe zhvillimit të sistemit energjetik.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›