OBSH: Alkooli vret 2.6 milionë njerëz çdo vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka dalë me raportin se alkooli vret 2.6 milionë njerëz çdo vit, një numër që mbetet i lartë pavarësisht një rënie të lehtë në vitet e fundit.
Raporti i fundit i OBSH-së për alkoolin dhe shëndetin tregon se alkooli shkakton pothuajse një në 20 vdekje çdo vit në mbarë botën, duke përfshirë aksidentet rrugore, dhunën dhe një sërë sëmundjesh dhe çrregullimesh.
Sipas raportit, 2.6 milionë vdekje i janë atribuar alkoolit në vitin 2019 bazuar në statistikat më të fundit në dispozicion një shifër që barazohet me 4.7% të vdekjeve në mbarë botën atë vit. Tre të katërtat e këtyre vdekjeve përfshijnë burra.
Përqindja më e lartë e vdekjeve që i atribuohen alkoolit në vitin 2019 ishte në grupmoshën 20-39 vjeç, 13% e vdekjeve.
Alkooli shkakton një sërë sëmundjesh, duke përfshirë cirrozën e mëlçisë dhe disa lloje kanceri.
Nga 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin në vitin 2019, raporti tregon se 1.6 milionë njerëz vdiqën nga sëmundjet jo të transmetueshme, duke përfshirë 474,000 nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 401,000 nga kanceri.
Një shtesë prej 724,000 vdekjesh rezultojnë nga lëndimet, duke përfshirë trafikun dhe lëndimet e vetëshkaktuara.
Abuzimi me alkoolin gjithashtu i bën njerëzit më të prekshëm ndaj sëmundjeve infektive si tuberkulozi, SIDA dhe pneumonia.
Europa regjistron nivelet më të larta të konsumit, me 9.2 litra alkool mesatarisht në vit, e ndjekur nga SHBA me 7.5 litra.
Konsumi më i ulët gjendet në vendet kryesisht myslimane në Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Azinë, thekson raporti.
“Ky nivel dhe frekuencë konsumi shoqërohet me rreziqe më të larta të shumë sëmundjeve, si dhe me vdekshmëri dhe paaftësi të lidhura”, paralajmëron OBSH.
Në nivel global, 23.5% e moshave 15-19 vjeç konsiderohen pijanec të rregullt. Megjithatë, shifra shkon në mbi 45% për njerëzit e kësaj moshe që jetojnë në Evropë dhe pothuajse 44% për ata që jetojnë në Amerikë.
Duke pasur parasysh shkallën e problemit, OBSH thekson nevojën urgjente për të përmirësuar aksesin në trajtim cilësor për çrregullimet e përdorimit të substancave.
/rtsh.al/